Testimi i softuerit

201

Testi mund vetëm ta tregojë prezencën e gabimeve në një program. Ai nuk mund ta demonstrojë se nuk ka më të meta tjera.

Testimi i zhvillimit është përgjegjësi e ekipit të zhvillimit të softuerit. Një ekip i veçantë duhet të jetë përgjegjës për testimin e një sistemi para se të instalohet te klientët. Në procesin e testimit nga përdoruesit, klientët apo përdoruesit e sistemit ofrojnë shënime testuese dhe e kontrollojnë se a janë testet të suksesshme.

Testimi i zhvillimit e përfshin testimin e njësisë (unit testing), në të cilin i testoni objektet dhe metodat individuale; testimin e komponentave (component testing), në të cilin testoni grupe të ndërlidhura të objekteve; dhe testimin e sistemit (system testing), në të cilin testoni sisteme të pjesshme apo të plota.

Kur e testoni softuerin, duhet të provoni ta ‘thyeni’ softuerin duke e përdorur përvojën dhe udhëzimet për t’i zgjedhur llojet e rasteve të testimit që kanë qenë efektive në zbulimin e defekteve në sistemet tjera.

Kurdo që është e mundur, duhet të shkruani teste të automatizuara. Testet janë të integruara në një program që mund të ekzekutohet sa herë që është bërë një ndryshim në sistem. Zhvillimi testet-së-pari (test-first development) është qasje ndaj zhvillimit ku testet shkruhen para kodit që do të testohet. Bëhen ndryshime të vogla në kod dhe kodi rifaktorohet deri sa të gjitha testet ekzekutohen me sukses.

Testimi me skenarë (scenario testing) është i dobishëm sepse e replikon përdorimin praktik të sistemit. Ai e përfshin shpikjen e një skenari tipik të përdorimit dhe përdorjen e kësaj për t’i nxjerrë rastet e testimit.

Testimi i pranimit është një proces i testimit nga përdoruesit ku qëllimi është të vendoset se a është softueri mjaft i mirë që të instalohet dhe të përdoret në ambientin e tij operacional.

Burimi: Ian Sommerville, Inxhinierimi i softuerit

WWW.STUDENTËT.MK

Comments are closed.