HISTORI E LETËRSI: Historia e letërsisë shqipe (pjesa e parë)

123

Do të përmendim e do të diskutojmë kritere e rezultate të teksteve të historisë së letërsisë shqipe dhe të tjerave me pretendime të tilla, që janë botuar në shekullin njëzet.

Vepra e Át Justin Rrotës Letratyra shqype e vitit 1925 është prova e parë për të bërë një histori të letërsisë shqipe, prandaj përmban shenjat dhe mungesat, si dhe pengesat për një libër të tillë nismëtar sistematik për letërsinë shqipe. Në pjesën e dytë të librit, Historija e letratyrës shqipe, autori përpiqet të japë regjistrin e shkrimtarëve shqiptarë, duke karakterizuar vlerat e tyre me një mbititull Mbi shkrimtarë mâ në shêj të gjûjhës shqype. Në njëzet e gjashtë paragrafe autori rrjeshton shkrimtarët nga Gjon Buzuku deri te Fan Noli. Rrota ankohet në fillim që historia e vështirë nacionale ka bërë që letërsia shqipe të shkruhet pak, për të vijuar se kombi shqiptar nuk është pa literaturë. Mandej jep shpresën se do të ketë një zhvillim letrar së paku të krahasueshëm me vendet e Ballkanit. Ai vendos një rend kronologjik të shkrimtarëve, përpiqet të japë karakteristikat e tyre letrare, ndonjëherë të bëjë krahasimin e njërit me tjetrin, por në përgjithësi nuk arrin të artikulojë një ligjësi letrare shqipe. Një si grupim karakterizues mund të hetohet në paragrafet 9, 11 e 26, ku përtej autorit kryesor jep grupin e shkrimtarëve të tjerë: Jeronim de Rada e shkrimtarë të tjerë të Kalabrijes; Naim Frashëri, e tjerë shkrimtarë toskë; Faik Konitza, Fan Noli e tjerë shkrimtarë të tashem. Autori po ashtu jep shpjegim pse në historinë e tij hyjnë edhe shkrimtarët e gjallë, Fishta, Konica, Mjedja, Prenushi, Noli, duke nënvizuar se letërsia shqipe pa ta është tepër e varfër. Libri i tij (edhe pse libër me qëllim për shkolla) është më tepër i natyrës së një antologjie e bibliografie letrare, me pak analiza e pak karakterizime historike letrare.

Studiuesi arbëresh Gaetano Petrota e botoi librin e vet Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare më 1931. ky është libri me më shumë informacione për letërsinë shqipe deri në kohën e botimit. Letërsia shqipe trajtohet në katër pjesë:
A. Dokumente gjuhësorë,
B. Letërsia popullore,
C. Letërsia e kultivuar – shkrimtarë shqiptarë: prozatorë dhe poetë,
D. Shtypi periodik – revista dhe gazeta: 1848-1930.
Autori ka edhe kapitujt për popullin shqiptar, për gjuhën shqipe dhe studimet shqiptare, si dhe një bibliografi të pasur. Libri i ngjet më shumë një soji të enciklopedisë për kulturën dhe letërsinë shqipe, sesa një historie të strukturuar të letërsisë shqipe. Kjo duket e arsyeshme sepse fillimisht i destinohet një opinioni të huaj dhe është e shkruar në italisht. Për shumë vite ky libër ka qenë një referencë e preferuar e studiuesve të letërsisë shqipe, sidomos sa i përket bibliografisë. Për qëllimin e kërkimit tonë me rëndësi të veçantë është kapitulli C. Letërsia e kultivuar, që trajton autorët në mënyrë kronologjike, duke nisur nga Muhamet Çami, deri te më të rinjtë e kohës, Dhimitër Pasko e Simon Shuteriqi. Petrota nuk ndjek një kriter të njënjëshëm për vlerësimin e autorëve dhe të fenomeneve shqiptare. Bie në sy që i njeh dhe i studion më imtësisht autorët arbëreshë. Po të shihet hapësira e studimit që u kushtohet dhe përkushtimi, autorët kryesorë të historisë së tij dalin Jeronim de Rada, Zef Skiroi e Gjergj Fishta. Karakteristikë e librit të Petrotës është se autorët filobiblikë shqiptarë të vjetër i trajton në kaptinën e parë: dokumente gjuhësore, duke i parë të diferencuar nga autorët që i trajton si letërsi e kultivuar

Eqrem Çabej ka botuar më 1936 veprën Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe. Në pjesën e dytë të librit me titull Literaturë kemi këtë grupim shkrimtarësh: A. shkrimtarët e vjetër, B. shkrimtarë shqiptarë të Greqisë, C. shkrimtarë shqiptarë të Italisë, Ç. Shkrimtarët e shek. të 19 dhe të fillimit të shek. të 20. Shkrimtarët e vjetër nisin me Buzukun dhe mbarojnë me mjeshtrin Todhër, shkrimtarët e Italisë nisin me Nikolo Filia dhe mbarojnë me Xhuzepe Skiroi, shkrimtarët e Shqipërisë nisin me Konstandin Kristoforidhin dhe mbarojnë me Lumo Skendon. Libri i Çabejt është i shkruar në formë sintetizuese, ka karakterizime letrare të shkrimtarëve, ide interesante, që do të bëhen prodhimtare më vonë, sidomos për Naim Frashërin, Jeronim de Radën, Gjergj Fishtën, Zef Skiroin e Asdrenin. Autori thekson vetë se referencat bibliografike duhet të kërkohen te libri i Petrotës.

Është më rëndësi të përmendet që tipi i grupimit të shkrimtarëve jep shenjat e një ideje që do të zhvillohet më vonë në studimet e tij.

Kemi parasysh librin e Çabejt Për gjenezën e literaturës shqipe të botuar më 1939, në të cilin në kapitullin e fundit Literatura përpiqet të bëjë “një skicë historike të literaturës shqipe”. Ai e trajton këtë literaturë të krahasueshme me literaturat e Ballkanit sa i takon mbështetjes së letërsisë së shkruar në folklor dhe të ngjyrës politike të shkrimtarisë. Çabej thekson se ndarja e drejtë e literaturës shqipe nuk duhet të dalë nga periudhat historike, por nga qarqet kulturore dhe letrare. Ai dallon tri qarqe kulturore letrare parakombëtare: Qarku katolik i Shqipërisë Veriore, Qarku italo-shqiptar, Qarku ortodoks i Shqipërisë Jugore dhe së fundi, Qarku letrar kombëtar, literatura kombëtare e shekullit 19.

Rrugën e zhvillimit të literaturës shqipe Çabej do ta trajtojë në një studim të shkruar më 1945, Romantizmi në Europë lindore e jug[1]lindore dhe në literaturën shqiptare16, që u botua vetëm më 1994. Studimi i Çabejt, në të vërtetë ka të bëjë me qarkun e letërsisë kombëtare, duke e njësuar këtë me romantizmin shqiptar, të cilin e trajton si formacion letrar të krahasuar me romanizimin në Evropën juglindore dhe në literaturat e Perëndimit. Pra, Çabej në librat e tij niset nga gjeneza e literaturës, për të mbërritur te literatura e shkruar.]

Vepra Shkrimtarët shqiptarë, e vitit 1941-1942 (mbledhë e punue, nën kujdesin e Ernest Koliqit, nga Namik Resuli) është një vepër kolektive në dy vëllime, që ka pretendimin e një sistematizimi të letërsisë shqipe nga fillimet e saj deri në kohët aktuale. Pjesa e parë ka shtatë kaptina përkufizuese e karakterizuese: I. Dokumentet e para të gjuhës shqipe, II. Shkrimtarët e vjetër të Veriut, III. Shkrimtarët e vjetër të Jugut, IV. Shkrimtarët e vjetër myslimanë, V. Prodhimi letrar përpara Lidhjes së Prizrendit, VI. Prodhimi letrar i Arbreshvet t’Italís, VII. Arbëreshët e Greqís. Pjesa e dytë e librit ka tri kaptina: I. Shkrim[1]tarë të Rilindjes, II. Shkrimtarë të kohës, III. Shkrimtarë Arbëreshë. Para çdo kaptine është një rubrikë, Njoftime të përgjithëshme, në të cilën pretendohet të jepet struktura e ideve dhe e shfaqjeve letrare të periudhave, mëpastaj ka një kronologji të paraqitjes së shkrimtarëve, më tepër në trajtën e portretit letrar. Bie në sy që letërsia e vjetër përdegëzohet në shkrimtarë të Veriut, të Jugut dhe myslimanë. Po ashtu prodhimi letrar para Lidhjes së Prizrenit degëzohet në arbëreshë të Italisë e të Greqisë. Kaptina më e madhe është ajo që përfshin shkrimtarë të Rilindjes, për t’u pasuar me shkrimtarë të kohës në Shqipëri dhe shkrimtarë arbëreshë. Bie në sy një karakterizim periudhash me kritere të ndryshme, kohore, hapësinore, politike, kultu[rore. Në anën tjetër artikulohet pretendimi për të krijuar një hartë të përgjithshme të zhvillimeve letrare deri në atë kohë. Pra, pretendimi për regjistrim kronologjik, sistematizim e vlerësim.

Burimi: HISTORIA E LETËRSISË SHQIPE

Përgatiti dhe përmblodhi:
WWW.STUDENTET.MK

Comments are closed.