Sistemi nervor enterik në zorrë me pseudonimin “Truri i dytë”

435

Ju nuk keni nevojë për një diplomë në neuroshkencë për të dyshuar se truri dhe zorrët janë disi të lidhura. Sigurisht kemi përjetuar ndjenjën e “fluturave” në stomakun tonë kur përgatitemi për të bërë një ligjeratë, ulcerat e stomakut të shkaktuara nga stresi, vjelljen pas konsumimit të një ushqimi të skaduar, të ushqyerit e tepërt gjatë një periudhe depresive, të gjitha këto ofrojnë të dhëna se truri dhe zorrët po flasin me njëri-tjetrin.

Por ajo që mund të mos jetë e qartë është se sa të lidhur janë truri dhe zorrët. Hulumtimet e reja tregojnë se boshti zorrë-tru është një nga marrëdhëniet më të fuqishme në trupin tonë.

Sistemi nervor enterik analizon ushqimin për nga përbërja e lëndëve ushqyese, ujin, elektrolitët dhe vendos për përvetësim ose ekskretimin. Për më tepër, rregullon mirë funksionin e neurotransmetuesve frenues dhe aktivizues. Në këtë mënyrë, funksioni i zorrëve përshtatet me kushtet e jashtme. Për shembull, gjatë përqendrimit në aktivitetet e tjera, ekziston frenimi i peristaltikës së zorrëve. Në situata të tjera, lëvizshmëria e zorrëve stimulohet përsëri. Në këtë proces, sistemi nervor enterik është vazhdimisht në komunikim me trurin kryesor. 


Sistemi nervor enterik është i ndërtuar nga një rrjet i 100 milionë neuroneve, që shtrihen prej: ezofagut (tub muskulor që mbart ushqim dhe pështymë nga goja në stomak), deri në anus (pjesa fundore e zorrës se trashë). Është aq i gjerë sa që ka fituar pseudonimin “truri i dytë”. I njohur teknikisht si sistemi nervor enterik, ky rrjet neuronesh shpesh anashkalohet porse përmban më shumë qeliza nervore sesa palca kurrizore ose sistemi nervor periferik.

  • Në këtë kontekst, përbërësit kryesorë të SNE përbëhen nga dy pleksuse të vendosura brenda murit te zorres.
  • 1. Pleksusi Mienterik (Auerbach) – që ndodhet në pjesën e hapësirës së hollë lidhore mes shtresës së brendshme dhe të jashtme të muscularis propria.
  • 2. Pleksusi Submukozal (Meissner) – që ndodhet në pjesën submukozale midis muskulit rrethor dhe mukozës.

Pra, si flasin truri dhe zorrët me njëri-tjetrin?

Një kabllo e trashë neuronesh kalon midis bazës së trurit dhe zorrës sonë duke formuar nervin vagus, nervi kranial më i gjatë në trupin tonë. Nervi vagus shërben si një autostradë informacioni dydrejtimëshe, me trurin dhe zorrët që i dërgojnë mesazhe njëri-tjetrit brenda milisekondave.

Nervi vagus nuk është mënyra e vetme që truri dhe zorrët komunikojnë. Zorrët tona janë shtëpia e triliona baktereve dhe mikrobeve që banojnë në zorrët dhe formojnë mikrobiotën e zorrëve. “Mikrobioma e zorrëve është aq e madhe sa që ka 100,000 herë më shumë mikrobe në zorrën tuaj sesa ka njerëz në tokë”.
Shumë prej këtyre mikrobeve jetojnë në shtresën e mukusit që rreshton zorrët, duke i vendosur ato në kontakt të drejtpërdrejtë me qelizat nervore dhe qelizat imunitare, të cilat janë sistemet kryesore të grumbullimit të informacionit të trupit tonë. Ky vend gjithashtu nxit mikrobet për sintezë të neurotransmiterëve përderisa truri sinjalizon stresin, ankthin përgjatë nervit vagus. Këto qeliza prodhojnë sinjale moduluese që dërgojnë informacionin përsëri në tru. Në fakt, 90% e neuroneve në nervin vagus në të vërtetë bartin informacion nga zorrët në tru dhe jo anasjelltas. Kjo do të thotë se sinjalet e gjeneruara në zorrë mund të ndikojnë masivisht në tru.


Ndikimi i shëndetit të zorrëve në shëndetin e trurit

Ndërlidhja përgjatë boshtit zorrë-tru ndihmon në kuptimin e provave të grumbulluara se zorra është e përfshirë në shëndetin dhe sëmundjet e trurit. Shumë gjendje neurologjike, të tilla si sëmundja e Parkinsonit, sëmundja e Alzheimerit, skizofrenia dhe çrregullimi i spektrit të autizmit janë të ndërlidhura me çështje gastrointestinale ose mikrobiome të ndryshuara të zorrëve.

Hulumtimet e fundit mbi sëmundjen e Parkinsonit zbuluan se sistemi nervor enterik fillon të degjenerohet përpara se të shfaqen simptomat klasike të Parkinsonit dhe një mikrobiom jofunksional i zorrëve është tipik për këtë sëmundje. Më tej, ka një rënie të konsiderueshme në sasinë e mikrobeve në mikrobiomën e zorrëve të individëve me sëmundjen Alzheimer dhe një dietë e pashëndetshme është një faktor rreziku i përmendur zakonisht për sëmundjen Alzheimer.

Një shpjegim për këtë është roli i inflamacionit, i cili është një simptomë kronike në shumë sëmundje neurologjike. Ndërprerja në shëndetin e mikrobiomës së zorrëve mund të shkaktojë një përgjigje imune dhe të çojë në inflamacion. Mbi 70% e qelizave imune të trupit janë në shënjestër të traktit tretës – gjë që është e dobishme në rastin e gëlltitjes së baktereve toksike – por gjithashtu do të thotë që një përgjigje imune e zorrëve mund të shkaktojë një përgjigje të fuqishme inflamatore në trup.



Përmblodhi dhe përshtati:

STUDENTET.MK

Comments are closed.