Përsëritja ose jo e parafjalëve

1,339

Kur përdoren gjymtyrët homogjene me parafjalë të njëjta, këto mund të përsëriten para çdo gjymtyre ose të shprehen vetëm para gjymtyrës së parë. Mund të kemi edhe kombinime të të dyja mënyrave, kur vjen një varg i gjatë gjymtyrësh homogjene. Përsëritja e mospërsëritja kushtëzohet nga një sërë faktorësh: nga raportet sintaksore nga mënyra dhe lloji i mjetit të bashkimit të gjymtyrëve homogjene, nga arsye gramatikore nga synimet stilistike etj.

Në përgjithësi parafjalët përsëriten kur gjymtyrët me raporte këpujore shqiptohen me një theksim të dukshëm, me pauza më të mëdha midis tyre, për të vënë më mirë në dukje secilën prej tyre më vete, ose kur gjymtyrët homogjene janë mjaftërisht të zgjeruara. Nuk përsëriten për t’i dhënë ligjërimit një ritëm më të shpejtë ose për të shfaqur lidhjen më të ngushtë të gjymtyrës:

Ata luftuan me pushkë e me penë për lirinë e pavarësinë e popullit për zgjimin e tij. Memoja foli gjerë e gjatë për nevojën e riorganizimin e batalionit për forcimin e disiplinës dhe për shpirtin e lartë moral që duhet të ketë çdo partizan. Veshët i buçitën ca nga zhurma e ca nga turpi. Njerëzit, trembur në gjumë nga veriu dhe zhurma e krahëve të shpendëve, hidheshin sakaq brof në këmbë. Kur shkrimtari di të përshkruajë një peisazh, di edhe te arsyetojë mbi faktet, mbi veprimet e tyre. Është e natyrshme që ne luftojmë kundër të metave e qëndrimeve të shtrembëra në jetë, në punë, në shoqëri. Kjo ode shquhet për krenarinë shqiptare për vendosmërinë për dashurinë ndaj popullit shqiptar dhe traditave shqiptare, për patosin e luftës kundër tiranisë, për urrejtjen ndaj saj. Shkëlqente nga pastërtia e shëndetit.

Herë-herë përsëritja e mospërsëritja e parafjalëve është e detyrueshme. Kështu, përsëritet patjetër parafjala para gjymtyrëve të bashkuara me raporte kundërshtore ose përmbyllëse, në përgjithësi edhe përpara gjymtyrëve homogjene me raporte veçuese, sidomos para gjymtyrëve homogjene këpujore me ngjyrime shtesimi ose shkallëzimi, përgjithësisht edhe para gjymtyrëve te tjera homogjene këpujore të bashkuara me lidhëza dyshe të bashkëlidhura a mjete të tëra të barasvlershme ose me lidhëza këpujore të përsëritura.

U  nisën jo me tren po, me makinë. E gjetëm jo prapa shkëmbit, po prapa kodrave. Ato qenë këngë të krijuara me shkathtësi jo me përdhunë, pra me natyrësi e frymëzim.

Dalloheshin jo vetëm nga veshja por edhe nga të ecurit e rëndë nga gjestet e drojtura, nga fjalët gjysmake, nga hutimi, që hera-herës u vishej fytyrave të tyre. Jani u tregua i gatshëm si për ekskursionin, si për korin që duhej ndihmuar. Nuk kishte hallin aq te Rama, sa te Lejlaja.

Si i kish rënë Tiranës në të katër anët ku me trakte e ku me letra, Dekoja hyri në shtëpinë e Dritës. Nëna pikëllohej me sy herë te zjarri, here te Coli e herë te e bija.

Me gjymtyrët homogjene të bashkuara asindetikisht të shumtën e herës përsëritet parafjala. Mund të kemi edhe kombinime të përsëritjes e të mospërsëritjes:

Ndonjëherë mendja i bridhte larg përtej tavolinës së punës dhe rafteve të bibliotekës, përtej mullarit dhe shtëpisë , përtej rrugëve të qytetit, përtej Dritës.

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

Comments are closed.