Gjymtyra e përjashtimit (pjesa e dytë)

691

Ndonjëherë mund të mos ketë fjalë të bashkëlidhura me giymtyrën e përjashtimit, e kjo t’i referohet një gjymtyre të pashprehur të nënkuptuar ose përdorimi i saj të jetë përcaktuar nga përmbajtja e gjithë fjalisë: Fiati eci mirë, me përjashtim të dy defekteve, që u ndreqën brenda pak minutave (krhs.: Fiati eci mirë në gjithçka, me përjashtim të dy defekteve). Kur fjalia është mohuese, si fjalë të bashkëlidhura me gjymtyrën e përjashtimit dalin, përveç pjesëzave mohuese s, nuk, mos, pa, emra në shumës ose në njëjës të shoqëruar me një përemër të pacaktuar mohues me funksion mbiemëror, si: asnjë, përemra të pacaktuar njëjës mohues, si: asnjë, askush, asgjë etj., ndajfolje mohuese, si: askund, kurrkund, asnjëherë etj., përemri tjetër, të tjerë, vetëm ose shoqërues i një emri. Në të tilla raste, ndërsa mohohen gjymtyra a gjymtyrët të cilave u referohet gjymtyra e përjashtimit. përjashtohet nga mohimi, pohohet kjo e fundit.

Si fjalë referimi, e bashkëlidhur me gjymtyrën e përjashtimit, mund të dalë herë-herë edhe një përemër mohues bashkuar me fjalën tjetër, të tjerë: Veç rrokut të patkonjve dhe ndonjë dii-diii të qiraxhiut, asgjë tjetër nuk dëgjohej. Ndonjëherë fjala e referimit, sidomos tjetër, mund të mos shprehet, po të nënkuptohet: Atje një gur që luan vendit, nuk qëndron veçse në lumin Dro. (krhs.:….një gur…nuk qëndron asgjëkund/në asnjë vend tjetër veçse në lumin Dro). Ky shpërthim e ky vitalitet nuk ka si të shpjegohet (me asgjë tjetër), përveç me faktin se poeti nuk i shkëputi as për një çast lidhjet me jetën. Edhe gjymtyra e përjashtimit mund të qëndrojë në krye, në mes, ose në fund të fjalisë: Përveç qiljeve të artilerisë, që dëgjoheshin larg, asgjë tjetër nuk të kujtonte luftën. Në ditët e para, përveç Kozit e Pilos dhe xha Vangjelit nuk vinte njeri. Nuk shqoi asgjë, veç një njollë të madhe.

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

Comments are closed.