Funksioni semantik dhe stilistik i përcaktorëve të veçuar (pjesa e parë)

360

Përcaktorët e veçuar japin në mënyrë të spikatur një tipar të një personi a të një sendi. Ky tipar në disa raste shoqërohet me ngjyrime rrethanore.

Sipas funksionit semantik e stilistik, sipas peshës së tyre semantike, përcaktorët e veçuar ndahen në tri grupe të mëdha:

Në grupin e parë përfshihen përcaktorët e veçuar që shprehin marrëdhënie përcaktore në formën e një të dhëne të mbishtuar. Këta përcaktorë janë të afërt kuptimisht me fjalitë e varura përcaktore:
Brigadierja po kthehej nga mbledhja e kryesisë në fshatin e vet, të fshehur në mes të kopshteve me mollë. Laliotët janë shqiptarë të Moresë, të vendosur aty rreth vitit 1740. Stërgjyshi, i ardhur nga larg, ngriti një kasolle në cep të fshatit. Burri kishte një kostum blu, qepur si qëmoti. Lufta e Vlorës e 1920-ës kundër imperializmit italian, i fuqishëm në njerëz dhe në material, është një epope më vete.

Në grupin e dytë bëjnë pjesë përcaktorët e veçuar me rol përcaktues – saktësues. Këta përcaktorë zakonisht saktësojnë, zbulojnë më tej, tiparin e shprehur nga një përcaktor tjetër me kuptim të përgjithshëm. Më rrallë, këta mund të shtjellojnë edhe përmbajtjen e një ndajfoljeje a të një përemri. Në këtë funksion dalin kryesisht gjymtyrët e veçuara të shprehura me mbiemra jofoljorë, ndërsa në rolin e fjalës së përcaktuar dalin ndër të tjera: i tillë, i dyfishtë, kompleks, i barabartë, i ndryshëm, tjetër, ndryshe etj. Në këtë funksion dalin të veçuar zakonisht dy a më shumë përcaktorë të njëjtë:

Kurrë në jetë s’kishte njohur një ankth të tillë, aq të fortë. Përshkrimi na e jep natyrën shqiptare në bukurinë e saj komplekse, të egër, dhe të butë, të virgjër e, mbi të gjitha, madhështore. Me një përmbajtje, të dyfishtë, historiko – patriotike e filozofike – njerëzore, kënga tingelloi aktuale edhe në driten e betejave të mëdha antifashiste. Nata u jep nje hije tjeter, të rëndë e të frikshme. Kur u njohëm tre vjet më parë, ti ishe krejt ndryshe, i gjallë, i qeshur! Sytë e berberit ishin po ata, të kaltër e të shndritshëm. Ne dhomë u derdh një dritë tjetër, fantastike.

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

Comments are closed.