Fjalitë njëkryegjymtyrëshe vetore me vetë të papërcaktuar

983

Fjalitë me vetë të papërcaktuar. Fjali me vetë të papërcaktuar quhen ato fjali njëkryegjymtyrëshe, kryegjymtyra e të cilave shprehet me folje veprore të vetës III shumës dhe tregon veprim të kryer nga persona të papërcaktuar. Në fjalitë e këtij tipi vëmendja e folësit përqendrohet në veprimin për të cilin flitet, edhe jo te vepruesi, i cili ose nuk njihet (nga folësi a nga dëgjuesi ose zakonisht nga të dy), ose folësi nuk dëshiron ta thotë, sepse nuk paraqet interes për dëgjuesin:

O Gani, e vranë xhaxhanë, thirri çobani. Kujtimin e mbajtën në çetë. Ik se të presin në shtëpi.

– Folja – gjymtyrë kryesore e fjalive me vetë të papërcaktuar mund të jetë në mënyra e kohë të ndryshme, zakonisht në të kryerën e thjeshtë, në të kryerën e plotë dhe në të tashmen e dëftores:

Që larg, një nga vajzat thërriste: “Mira Struga”. E kërkojnë. Në fshat flitnin shumë për shkollën e madhe të Tiranës. Në derë trokitën për së dyti, por ushtari nuk dëgjoi gjë.

– Përdorim të dendur ka folja them në kohë të ndryshme, po më shpesh në të tashmen, ajo mund të pasohet nga një fjali e varur kundrinore ose të shërbejë vetë si fjali e ndërmjetme:

Në male thonë se bën ftohtë. Në fshat thoshin se ai kishte shkollë të madhe për bujqës…Mirë kanë thënë: bukë e kripë e në vend tënd.

– Modaliteti i fjalive me vetë të papërcaktuar mund të jetë i ndryshëm: ato shprehin veprim real, por edhe veprim të mundshëm, të pamundshëm etj:

Ku mund ta kenë futur Agimin? Përse ia fshehin botës?

– Fjalitë më vetë të papërcaktuar përdoren më pak nga të gjithë tipat e tjerë të fjalive njëkryegjymtyrëshe. Ato kanë një sferë të ngushtë përdorimi: përdoren më shumë në stilin e letërsisë artistike dhe fare pak në stilin shkencor e në stilin publicistik.

– Fjalitë njëkryegjymtyrëshe me vetë të papërcaktuar, që kanë një kundrinë në ndërtimin e tyre, janë kuptimisht të njëvlershme me ndërtimet pësore dykryegjymtyrëshe, ndër këto ndërtime paralele, ndërtimi vepror përdoret jo vetëm në gjuhën letrare, por edhe në gjuhën popullore, ndërsa pësori më tepër në gjuhën letrare.

Gjyshin e caktuan si roje. Që atëherë në Kënetas ngritën mensën (krahaso: Gjyshi u caktua si rojë… Në Kënetas u ngrit mensa).

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

Përgatiti dhe përshtati:

WWW.STUDENTËT.MK

Comments are closed.