Menaxhimi i konfigurimit

191

Menaxhimi i konfigurimit është menaxhimi i një sistemi evolues softuerik. Kur mirëmbahet një sistem, vendoset një ekip i MK për të siguruar se ndryshimet përfshihen në sistem në mënyrë të kontrolluar dhe se regjistrimet mirëmbahen me detalet e ndryshimeve që janë implementuar.

Proceset kryesore të menaxhimit të konfigurimit merren me menaxhimin e ndryshimit, menaxhimin e versioneve, ndërtimin e sistemit, dhe menaxhimin e shpërndarjes (instalimit). Ka në dispozicion vegla softuerike për t’i përkrahur të gjitha këto procese.

Menaxhimi i ndryshimit e përfshin vlerësimin e propozimeve për ndryshime nga klientët e sistemit dhe palët tjera të interesit (stakeholders) dhe vendosjen se a është efektive për kosto implementimi i tyre në një version të ri të sistemit.

Menaxhimi i versioneve e përfshin mbajtjen e shënimeve për versionet e ndryshme të komponentave të softuerit që krijohen dhe ndryshimet që iu janë bërë atyre.

Ndërtimi i sistemit është procesi i montimit të komponentave të sistemit në një program të ekzekutueshëm për t’u ekzekutuar në një sistem kompjuterik të synuar.

Softueri duhet të rindërtohet shpesh dhe të testohet menjëherë pasi të jetë ndërtuar një version i ri. Kjo e bën më të lehtë të detektohen defektet dhe problemet që janë paraqitur që nga ndërtimi i fundit.

Versionet instaluese (releases) të sistemit përfshijnë kod të ekzekutueshëm, fajlla të shënimeve, fajlla të konfigurimit, dhe dokumentim. Menaxhimi i instalimit e përfshin marrjen e vendimeve për datat e instalimit të sistemit, përgatitjen e të gjitha informatave për shpërndarje, dhe dokumentimin e secilit version të sistemit.

Burimi: Ian Sommerville, Inxhinierimi i softuerit

WWW.STUDENTËT.MK

Comments are closed.