Kultura e të shkruarit

1,518

Të gjithë jemi dëshmitarë të zhvillimit dinamik të shqipes standarde në të gjitha rrafshet e saj. Këtij ndryshimi i paraprijnë ndryshimet ekonomike, kulturore dhe politiko-shoqërore. Zhvillimi dhe ndryshimi shprehen në fonetikë, në gramatikë e në leksik. Në gjithë këto ndryshime, pa dyshim, rol me rëndësi ka si shoqëria, ashtu edhe individi. A po i përballon shqipja me lehtësi gjithë këto ndërrime e ndryshime? Cila është fjala e gjuhëtarëve? Po u mjaftua me kaq, do të pohonim se shqipja mund t’i përballojë me mjetet e mundësitë e veta, me rezervat, me gjerësinë e thellësinë e saj, gjithë ndikimet e trysnitë që i vijnë nga shumë anë. A po ndodh kështu? Jo gjithmonë. Besoj se gjuhëtarët, po edhe të tjerët, do të duhet të jepnin shenjën e rrezikut për shkak të shkeljeve e shmangieve të panumërta që vërehen në zbatimin e normës letrare, të cilat do të duhej të konsideroheshin në shumë raste sulme, me dhe pa paramendim, në strukturën e vetë gjuhës. Çdo ditë ndeshim raste të përdorimit të keq të gjuhës në të gjitha format shkrimore, që dëshmojnë jo vetëm mungesë kulture gjuhësore, po edhe shpërfillje të saj në shkallë brengosëse.

Theksin e kemi vënë në kulturën e shkrimit, sepse për zhvillimin e saj në mjedisin tonë ka më shumë mundësi e rrugë, që s’mund të thuhet për gjuhën e folur, e cila në truallin tonë njeh shpërpjesëtim të dukshëm karshi gjuhës së shkrimit dhe karshi shqipfolësve të truallit shtetëror shqiptar. Sido që të jetë, puna në këtë drejtim do vështrim të veçantë.

Ndryshimet e reja shoqërore, të theksuara dhe më lart, kushtëzuan edhe mënyrë pak a shumë të re të të folurit dhe të komunikimit, individual e publik, prandaj edhe të shkrimit. Vërehen kështu dukuri të reja. Praktika e ligjërimit u gjallërua, edhe pse jo gjithmonë në shkallë cilësore, ndonëse hetohen prirje për qartësimin dhe saktësimin e shprehjes. Ajo që karakterizon ligjërimin e sotëm shqip, gjuhën e shkruar mund të përmblidhet në këto dukuri:

∙Prania e shtuar e fjalëve a leksemave, shprehjeve dhe e ndërtimeve të huaja (kryesisht angleze, greke, italiane po edhe sllave);

∙Shtimi i përdorimit të dy a tri fjalëve a termave për të njëjtin nocion a dukuri në fusha të ndryshme të dijes e të shkencës;

∙Përhapja e leksemave të bisedimit të përditshëm (sidomos në revistat javore dhe në ato shkollore, si kerr, vozit, etj) të papërfshira në fjalorin e gjuhës shqipe;

∙Shtimi i fjalëformimeve që i bien ndesh natyrës së shqipes, edhe i fjalëformimeve mbi bazën e fjalëve të huaja (si p.sh. në kohën e fundit përdorimi fjalës sekretim, për të cilën kemi përfytyrimin se ka të bëjë me kuptimin tajim, por ajo tashti këtu na del me kuptimin “mbajtje fshehtë”; dhe foljen sekretoj -“mbaj fshehtë”);

∙Aktivizimi i shumë leksemave të vjetruara, për të cilat ekzistojnë gjegjëset në shqipen standarde;

∙Çoroditje të gjuhës bisedore, sidomos te të rinjtë, që shprehet pastaj edhe në hartimet a në format e tjera të shkrimit (prandaj sot mund të flitet për gjuhë kafenesh, gjuhë rrugësh, gjuhë “shkolle”, gjuhë të ashtuquajtur speciale a zhargon, si e dhënë e trefishtë: shoqërore, psikologjike e gjuhësore, që sigurisht nuk është ”privilegj” vetëm i gjuhës sonë);

∙Prirje për politizimin e gjuhës, sidomos në mjetet e informimit.

Një veçori që duhet të theksohet për të mirë është se në shqipen po ndodhin ndryshime edhe në kuptim pozitiv. Në shkrimet tona përdoren shumë leksema të reja, që paraqesin begati për gjuhën dhe forcë shprehëse për zhvillimin e kulturës ë shkrimit, ndërsa ajo që bie në sy për të keq është përdorimi i tepruar i shumë fjalëve të huaja, të futura pa kontroll, në të shumtën e rasteve pa nevojë, sidomos përmes mjeteve të informimit dhe përmes shkrimeve politike të inauguruara, sidomos në vitet e fundit, po edhe në gjuhën e të të ashtuquajturit rreth universitar. Shumica e njësive leksikore të huaja përdoren pa nevojë dhe si të tilla janë të paarsyetueshme për përdorimin e tyre të mëtejshëm.
Kemi përshtypjen se po ndeshemi me dukurinë e ashtuquajtur snobizëm gjuhësor, prandaj me të drejtë në gjuhëtar thotë: Snobët e gjuhës mbulojnë zbrazëtitë e tyre nëpërmjet përdorimit të panevojshëm të leksemave të huaja. Kjo vlen, thuhet në po të njëjtin artikull, sidomos për rastet kur rëndësia shoqërore e subjektit folës e shkrues është më e madhe dhe në këtë mënyrë komunikimi dhe ndikimi i tyre mbi një masë të rëndësishme bashkëfolësish e bashkëshkruesish, përshpejton përhapjen e një shprehie të tillë gjuhësore. Prandaj, është shqetësues fakti që mjaft drejtues institucionesh, shoqatash, ndërmarrjesh, deri edhe personalitete me rëndësi politike e keqpërdorin gjuhën shqipe në të gjitha nivelet, duke dhënë shembull të padenjë dhe njëkohësisht duke u vlerësuar negativisht nga numër i madh dëgjuesish e lexuesish të tyre aktivë e pasivë.

 

Përmblodhi dhe përshtati:

STUDENTET.MK

Comments are closed.