Zhvillimi i teorisë sintaksore

429

Teoria sintaksore për shkak të kompleksitetit të dukurive përkatëse, megjithë fillimet e saj të hershme, ka marrë zhvillim dhe është kristalizuar vonë. Ajo ka ecur nëpër rrugë plot dredha e kundërthënie. Ka pasur dhe ka qëndrime të ndryshme në trajtimin e një numri të madh problemesh të saj, shpesh edhe mënyra të ndryshme në zgjidhjen e tyre. Këto janë kushtëzuar nga drejtimet metodologjike që janë ndjekur nga konceptimi i ndryshëm i natyrës dhe i funksioneve të gjuhës, i lidhjeve midis gjuhës, mendimit dhe realitetit objektiv, i raportit midis formës dhe përmbajtjes, po ashtu edhe nga traditat studimore gramatikore që janë formuar në gjuhët e ndryshme, nga pikëpamjet e vështrimet e ndryshme të studiuesve në zgjidhjen e çështjeve të veçanta, nga karakteri shpeshherë kompleks i fakteve sintaksore, ose edhe nga vetë gjuhët konkrete e veçoritë e tyre.

Problemit themelor të sintaksës se në çka do të mbështeten përcaktimet, përkufizimet e klasifikimet e njësive dhe të fakteve sintaksore, në gjuhësinë botërore i janë dhënë dhe i jepen zgjidhje të ndryshme si në pikënisjet, në kriteret, ashtu edhe në realizimet konkrete. Janë dalluar në radhë të parë drejtimi logjik gramatikor, dhe drejtimi formal gramatikor, duke marrë për bazë, i pari, vetëm a kryesisht brendinë, kategoritë logjike, elementet kuptimore; i dyti, mënyrën e shprehjes, elementet gjuhësore formale. Drejtimi logjik gramatikor zotëroi në mënyrë absolute deri në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Në variante të reja, ku më pak, ku më shumë të ndryshuara, ai vijoi edhe më pas, nëpërmjet një numri të mirë, studiuesish, në forma të përsëritura ai përfaqësohet herë herë edhe në teorinë sintaksore të sotme. Në formën e tij më të skajshme, ai u mbështet në paralelizmin e plotë të logjikës e të gramatikës, i vështroi kategoritë gramatikore, sidomos sintaksoret, si pasqyrim i drejtpërdrejtë, herë herë bile edhe si produkt, i kategorive logjike, i njëjtësoi shpeshherë me ato. Eshtë shfaqur në forma të ndryshme që shkojnë nga një logjicizëm absolut dhe i ngurtë në vështrime më elastike e më të gjera.

Burimi: “Gramatika e gjuhës shqipe 2”

Comments are closed.