Rrethina e përgjithshme

758

Rrethina e përgjithshme paraqet rrethinë të gjerë dhe të shpërndarë, e cila në organizatë ndikon në mënyrë indirekte. Rrethina e përgjithshme përfshin faktorët shoqërorë, demografikë dhe ekonomikë, të cilët ndikojnë në të gjitha organizatat në mënyrë të barabartë. Përmasat e kësaj rrethine në mënyrë të vazhdueshme ndikojnë në organizatë, por jo të ngërthyera në transaksionet e përditshme.

Përmasat e rrethinës së përgjithshme përfshijnë faktorët: ndërkombëtarë, teknologjikë, socialkulturor, faktorët ekonomikë dhe politiko-ligjorë.

1. Faktorët ndërkombëtarë. Përmasat e faktorëve ndërkombëtarë kanë ndikim në organizatat e biznesit, si rezultat i rritjes së vrullshme të biznesit ndërkombëtar. Këta faktorë kanë rol gjithnjë e më të madh.  Dimensioni ndërkombëtar ndikon në të gjitha aspektet e rrethinës së jashtme. Rrethina ndërkombëtare siguron konkurrentë të rinj, blerës, furnitorë, trende teknologjike dhe ekonomike. Sot, secila kompani duhet të mendojë në mënyrë internacionale, menaxherët që kanë menduar vetëm për ambientin e brendshëm patjetër duhet të mësojnë rregulla të reja. Ata duhet të fitojnë njohuri për idetë e reja që qarkullojnë në tregun global. Këtë duhet ta bëjnë patjetër, ngase ndryshimet në planin global ndikojnë edhe në fushat e brendshme të vendit. Faktorët ndërkombëtarë ndikojnë në biznese, veçanërisht në bizneset që synojn tregun e jashtëm apo që prodhojnë prodhime të njëjta apo të ngjashme me ato multinacionale.

2. Faktorët teknologjikë. Dimensioni teknologjik përfshin inovacionet dhe zbulimet e reja tekniko-teknologjike në degët e ndryshme të shoqërisë. Ai krijon mundësi dhe kufizime për biznesin. Zbulimet e reja në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikojnë në prodhimin dhe pajisjet e saj, kështu që kompanitë që dëshirojnë të jenë në hap me kohën dhe të sigurojnë mbijetesë vazhdimisht duhet të jenë në hap dhe në dijeni të të gjitha ndryshimeve dhe risive teknologjike, me qëllim që të jenë sa më të përgatitura e të suksesshme në treg.

Faktorët teknologjikë janë të rëndësishëm, sepse ata mund të ndikojnë në përparimin e mënyrave se si njerëzit i kryejnë punët e tyre. Aplikimi i inovacioneve dhe i teknologjive mundëson pranimin e mënyrave më të përshtatshme për kryerjen e detyrave në organizatë.

Studimi dhe parashikimi i ndryshimeve teknologjike krijon përparësi konkurruese për organizatat, posaçërisht për ato që operojnë në fushën e industrisë, ku edhe risitë janë më të shpeshta, p.sh., në industrinë elektronike. Nga kjo rrjedh se menaxhmenti është i obliguar t’i studiojë ndryshimet teknologjike, t’i hulumtojë ato dhe t’i shfrytëzojë informacionet në marrjen e vendimeve për përshtatjen e organizatës. Ndjekja dhe shfrytëzimi i progresit tekniko-teknologjik, duhet të rezultojë me aplikim të teknologjive të reja dhe të metodave në transformimin e imputeve në autpute. Ngecja në këtë fushë në mënyrë objektive do të sjellë deri te joefikasiteti dhe paaftësia për të punuar në mënyrë efikase.

 

3. Faktorët social-kulturorë. Mjedisi social-kulturor përbëhet nga normat, zakonet, qëndrimet e sjelljet, kuptimet dhe pritjet, stilet e jetës, traditat e ndryshme të cilat paraqiten si kufizim apo përparësi për organizatën. Këto elemente ndryshojnë nga vendi në vend dhe paraqesin një forcë ndikimi në mënyrën se si organizatat funksionojnë. P.sh. Organizatat që operojnë në ndonjë vend apo dëshirojnë të hyjnë në ndonjë treg të ri duhet t’i njohin mirë dhe ta marrin parasysh kulturën lokale. P.sh., konsumatorët amerikan janë mësuar të blejnë gjatë tërë ditës dhe çdo ditë të javës, por firmat amerikane që punojnë në vende të ndryshme të botës ballafaqohen me vlera të ndryshme që i pranojnë konsumatorët për blerje. Gjermania ka ligje që e kufizojnë orarin e punës së dyqaneve ose të punës gjatë të dielave etj.

 

4. Faktorët ekonomikë. Organizatat ekzistojnë dhe funksionojnë në kuadër të sistemeve të ndryshme ekonomike, e cila ka ndikim të madh në organizata. Në grupin e këtyre faktorëve që ndikojnë në veprimtarinë e organizatës janë: rritja ekonomike, fuqia blerëse, niveli i papunësisë, norma e interesit, inflacioni, tregu i parasë dhe kapitalit, investimet etj. Për shembull, rritja ekonomike ndikon në kërkesën për mallra dhe shërbime, në rritjen e investimeve, në punësime etj. Një interes më i ulët do të nxisë konsumin si rezultat i kredive të ulëta, zgjerimi i aktiviteteve të biznesit me kredi më të lira etj.

 

5. Faktorët politiko-ligjorë. Të gjitha organizatat në shkallë të caktuar janë nën ndikimin e sistemeve të ndryshme juridike dhe politike në rrethin e tyre. Sistemi politik, qeveria, proceset politike dhe shoqërore, janë ndryshueshmëritë kryesore në të gjitha aspektet e vendosjes menaxheriale dhe aktiviteteve të tjera në organizatë. Faktorët juridiko-politikë janë një rrethinë e rëndësishme për t’u hulumtuar sepse ato paraqesin burim të të gjitha ligjeve dhe rregullave që rregullojnë aktivitetin e të gjitha organizatave të biznesit.

Shkalla e stabilitetit politik në një vend ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e biznesit, sepse të gjitha organizatat e biznesit para së gjithash kërkojnë stabilitet e siguri, sepse në të kundërtën investojnë në vende të tjera më të sigurta. Legjislacioni që rregullon aktivitetin ekonomik vepron në mënyrë kufizuese ose stimuluese për zhvillimin e veprimtarisë së biznesit. P.sh. Në qoftë se taksat mbi fitimin kompanive janë shumë të larta atëherë kjo ndikon në mënyrë frenuese mbi aktivitetin e organizatave të biznesit dhe e kundërta.

 

Përmblodhi dhe përshtati :

STUDENTET.MK

Comments are closed.