Pse e urrejmë tingullin e zërit tonë?

93

Si kirurg i specializuar në trajtimin e pacientëve me probleme zëri, i regjistroj në mënyrë rutinore pacientët e mi duke folur. Për mua, këto regjistrime janë jashtëzakonisht të vlefshme. Ata më lejojnë të gjurmoj ndryshimet e vogla në zërat e tyre nga vizita në vizitë dhe kjo më ndihmon të konfirmoj nëse operacioni ose terapia e zërit çuan në përmirësime. Megjithatë, unë jam i befasuar se sa të vështira mund të jenë këto seanca për pacientët e mi. Shumë prej tyre ndihen dukshëm të shqetësuar kur dëgjojnë zërin e tyre kur u lëshohen inçizimet e tyre. “A tingëlloj vërtet kështu?” pyesin ata, duke u dredhur. Disa bëhen aq të shqetësuar saqë refuzojnë të dëgjojnë regjistrimin. Siklet që kemi kur dëgjojmë zërat tanë në regjistrimet audio është ndoshta për shkak të një përzierjeje të disa faktorëve fiziologjik dhe psikologjik.

E para që vlen të theksohet është ajo se zëri nga një regjistrim audio transmetohet ndryshe në trurin tuaj sesa zëri që krijohet kur flisni. Kur dëgjoni një regjistrim të zërit tuaj, zëri udhëton nëpër ajër dhe në veshët tuaj – ajo që quhet “përçueshmëri ajrore të tingujve”. Energjia e zërit vibron daullen e veshit dhe kockat e vogla të veshit. Këto kocka më pas transmetojnë dridhjet e zërit në kokle, e cila stimulon aksonet nervore që dërgojnë sinjalin dëgjimor në tru. Megjithatë, kur flisni, tingulli nga zëri juaj arrin në veshin e brendshëm në një mënyrë tjetër. Edhe pse një pjesë e zërit ende transmetohet përmes përcjelljes ajorore, pjesa më e madhe e tingullit përcillet nga brenda drejtpërdrejt përmes kockave të kafkës suaj. Andaj kur dëgjoni zërin tuaj kur flisni, kjo është për shkak të një përzierjeje të përçueshmërisë së jashtme dhe të brendshme, ndërsa përcjellja e brendshme e kockave duket se rrit frekuencat më të ulëta. Për këtë arsye, njerëzit në përgjithësi e perceptojnë zërin e tyre si më të thellë dhe më të pasur kur flasin. Zëri i regjistruar, në krahasim, mund të tingëllojë më i hollë dhe më i lartë, gjë që shumë persona e shohin të tmerrshëm. Dhe kjo ishte sa i përket komponentës fiziologjike.

Ekziston një arsye e dytë që bën dëgjimin i një regjistrimi të zërit tuaj mund të jetë kaq shqetësues. Ngase përceptohet me të vërtetë sikur një zë total i ri. Për shkak se zëri juaj është unik dhe një komponent i rëndësishëm i identitetit të vetvetes, kjo mospërputhje mund të jetë e bezdisshme. Papritur kuptoni se njerëzit e tjerë kanë dëgjuar diçka tjetër gjatë gjithë kohës, dhe kjo prek anën psikologjike të trurit tonë. Edhe pse ne mund t’u tingëllojmë të tjerëve më shumë si zëri ynë i regjistruar, mendoj se arsyeja që shumë prej nesh përpëliten kur e dëgjojnë nuk është se zëri i regjistruar është domosdoshmërisht më i keq se zëri ynë i perceptuar, por thjesht jemi mësuar ta dëgjojmë veten të tingëllojë në një mënyrë të caktuar.

Një studim i botuar në vitin 2005 morrën pjesë pacientë që kishin probleme me zërin, dhe u kërkua prej tyre që të vlerësonin zërat e tyre të inçizuar. Në studim gjithashtu morrën pjesë edhe mjeket që të vlerësonin zërat e pacientëve. Studiuesit zbuluan se pacientët, në të gjithë bordin, vlerësonin më negativisht cilësinë e zërit të tyre të regjistruar në krahasim me vlerësimet objektive të mjekëve. Pra, nëse zëri në kokën tuaj kritikon zërin që del nga një pajisje regjistrimi, ndoshta është kritiku juaj i brendshëm i tepruar – dhe ju po e gjykoni veten paksa shumë ashpër.

Kjo ishte përgjigja që Neel Bhatt (Asistent Profesor i Otolaringologjisë, UW Medicine, Universiteti i Uashingtonit) dha gjatë një interviste kur iu parashtrua pyetja e mësiperme.

Ndërsa për pyetjen e njejtë Dr Silke Paulmann, një psikologe në Universitetin e Essex-it potencon ende më shumë faktorin psikologjikë duke thënë: “Unë do të spekuloja se fakti që ne tingëllojmë me zë me frekuencë më të lartë dhe rrjedhimisht zë më të hollë sesa ajo që mendojmë, duket të na çon në shqetsim pasi nuk i plotëson pritshmëritë tona të brendshme; zëri ynë luan një rol masiv në formimin e identitetit tonë dhe mendoj se askujt nuk i pëlqen të kuptojë se nuk jeni vërtet ai që mendoni se jeni.”

Në të vërtetë, të kuptuarit se ne tingëllojmë më shumë si Mickey Mouse, mund të çojë në zhgënjim. Për shembull, një studim i vitit 2013 u kërkoi pjesëmarrësve të vlerësonin atraktivitetin e mostrave të ndryshme të zërit të regjistruar. Kur zëri i tyre përzihej fshehurazi me këto mostra, pjesëmarrësit i dhanë vlerësime dukshëm më të larta zërit të tyre kur nuk e njihnin atë si të tyrin.

Nëpërmjet eksperimenteve të tyre, psikologët Phil Holzemann dhe Clyde Rousey arritën në përfundimin në vitin 1966 se konfrontimi i zërit lind jo vetëm nga një ndryshim në frekuencën e pritur, por edhe nga një zbulim mbresëlënës që ndodh me realizimin e gjithçkaje që zëri juaj përcjell. Jo vetëm që tingëllon ndryshe nga sa prisni, ai zbulon aspekte të personalitetit tuaj që mund t’i perceptoni plotësisht vetëm kur i dëgjoni nga një regjistrim. Këto përfshijnë aspekte të tilla si niveli juaj i ankthit, pavendosmëria, trishtimi, zemërimi, etj.

Marc Pell, një neuroshkencëtar në Universitetin McGill, i specializuar në komunikimin e emocioneve, qëndron pas studimeve të Holzemann dhe Rousey, duke thënë: “Kur dëgjojmë zërin tonë të izoluar, i cili nuk është i trupëzuar nga pjesa tjetër e sjelljes sonë, ne mund të kalojmë përmes procesit automatik të vlerësimit të zërit tonë në mënyrën se si bëjmë në mënyrë rutinore me zërat e njerëzve të tjerë. … Unë mendoj se ne pastaj krahasojmë përshtypjet tona për zërin me mënyrën se si njerëzit e tjerë duhet të na vlerësojnë shoqërisht, duke bërë që shumë njerëz të jenë të mërzitur ose të pakënaqur me mënyrën se si tingëllojnë sepse përshtypjet e krijuara nuk përshtaten me tiparet shoqërore që dëshirojnë të projektojnë.”

Megjithatë, nuk ka gjasa që të tjerët të befasohen në mënyrë të ngjashme nga një aspekt i zërit të lartë të zërit tuaj, dhe për më tepër të tjerët ndoshta nuk po bëjnë të njëjtat vlerësime për zërin tuaj si ju. Ne priremi të mos jemi kritikë ndaj zërave të njerëzve të tjerë, kështu që shanset janë që të jeni i vetmi person që mendoni në mënyrë kritike për zërin tuaj.

Përmblodhi dhe përshtati:

www.studentet.mk

Comments are closed.