Periudhat në gjuhën shqipe

2,037

Periudha është njësi sintaksore e tërësishme e lidhur nga ana kuptimore, strukturore e intonacionare, e përbërë prej dy a më shumë njësish kallëzuesore në formë fjalie, në raporte të caktuara midis tyre.
Nga karakteri i mjeteve të lidhjeve sintaksore, periudha ndahet në dy grupe të mëdha: në periudhën lidhëzore (me lidhëza dhe fjalë lidhëse) dhe në periudha jolidhëzore (adindetike). Ndërkaq periudhat lidhëzore sipas karakterit të lidhjes sintaksore ndahen në periudha me bashkërenditje dhe në periudha me nënrenditje.
Periudhat me bashkërenditje janë periudha të formuara nga dy a më shumë sifjali me raporte përkatësisht të bashkërenditjes në mes tyre, të bashkuara me lidhëza bashkërenditëse a me fjalë me të njëjtën vlerë.
Për lidhjen e ngushtë kuptimore midis sifjalive te periudha me bashkërenditje rëndësi kryesore ka edhe rendi i tyre: sifjalitë e bashkërenditura mund të vijnë njëra pas tjetrës, sifjalia e dytë pas sifjalisë së parë, sifjalia e tretë pas së dytës, e kështu me rradhë. Poashtu, sifjalitë e bashkërenditura nuk mund të hyjnë në indin e njëra-tjetrës.
Disa periudha me sifjali të bashkërenditura kanë strukturë të hapur, d.m.th. mund të përbëhen prej më se dy sifjalish, kanë mundësinë t’i shtojnë sifjalitë – gjymtyrë. Këto janë periudhat shumëgjymtyrëshe. Të tjera periudha kanë strukturë të mbyllur d.m.th. kanë strukturë dygjymtyrëshe. Periudhat shumëgjymtyrëshe karakterizohen nga intonacioni i tyre specifik i numërimit, i cili thekson karakterin e njëtipshëm të sifjalive për nga raporti i tyre ndaj së tërës kuptimore dhe strukturore që formojnë. Sifjalitë e bashkërenditura lidhen me lidhëza bashkërenditëse që kanë një karakter të përgjithshëm, abstrakt, i cili mund të saktësohet me mjete të ndryshme, si leksikore, ashtu edhe gramatikore.
Në bazë të marrëdhënieve më të përgjithshme dallohen pesë lloje, pesë tipa periudhash me sifjali të bashkërenditura:
1. Sifjalitë e bashkërenditura me marrëdhënie këpujore; 2. sifjalitë e bashkërenditura me marrëdhënie përqasore, kundërshtore; 3. sifjalitë e bashkërenditura me marrëdhënie veçuese; 4. sifjalitë e bashkërenditura me marrëdhënie përmbyllëse; 5. sifjalitë e bashkërenditura me marrëdhënie shkakore – motivuese.

Përmblodhi dhe përshtati:

STUDENTET.MK

Comments are closed.