Përcaktori

4,015

Përcaktor është ajo gjymtyrë e dytë e fjalisë që është në marrëdhënie përcaktore me gjymtyrën prej së cilës varet e që bashkohet me të me lidhje përshtatjeje, drejtimi a bashkimi.

Përcaktori zë një vend të veçantë midis gjymtyrëve të dyta të fjalisë. Ai është rezultat i gjymtyrézimit të mëtejshëm të grupeve emërore që hyjnë në përbërjen e një fjalie. Formon bashkë me gjymtyrën emërore nga varet, një takt ligjërimor, prandaj brenda fjalisë përbën një grup bashkë me gjymtyrën që përcakton: Nga dritarja hyri flladi vjeshtak, që solli me vete erën e barit të thatë.

Përcaktori varet para së gjithash nga gjymtyrë të shprehura në emër ose me togfjalësh emëror, që mund të jetë i gjymtyrëzueshëm ose jo. Në fjalinë Si ishuj bukurie janë vendosur në detin e gjelbërimit shtëpitë e reja të fshatrëve, përcaktori të fshatrëve varet nga tërë togfjalëshi shtëpitë e reja, përbërësit e të cilit janë të gjymtyrëzueshëm në kryefjalë dhe në përcaktor. Reshperi fierak vuri buzën në gaz nga këto arsyetime fshatarake. Përcaktori fshatarake varet nga togfjalëshi nga këto arsyetime, përbërësit e të cillit nuk janë të gjymtyrëzueshëm, po funksionojnë të dy si një gjymtyrë fjalie (tipat e togfjalëshave që janë përmendur më lart).

Përcaktori mund të varet edhe nga një përemër: Në këto fjali kishte diçka të vërtetë. Të gjitha këto i kemi trashëgim prej kohëve të kaluara. Ku ndodhen vallë ata të tjerët?

Duke përcaktuar gjymtyrën prej së cilës varet, përcaktori shpreh nuanca kuptimore nga më të ndryshmet. Po grupimi i tyre mbi bazën e kuptimit, do t’i mbulonte veçoritë strukturore të shqipes. Si kriter i përgjithshëm i grupimit mund të shërbeje lloji i lidhjes sintaksore.

Duke pasur parasysh, pra, llojin e lidhjes sintaksore, do të dallohen:

  1. përcaktorët me përshtatje
  2. përcaktorët me drejtim
  3. përcaktorët me bashkim
  4. përcaktorët me përshtatje të pjesshme

 

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

Comments are closed.