Përcaktori me bashkim

7,538

Përcaktori me bashkim shprehet me përemra të palakueshëm, me numërorë, me forma foljore të pashtjelluara dhe me ndajfolje. Përcaktorët me bashkim të shprehur me përemra kanë një përdorim të kufizuar, jo vetëm sepse përemrat e palakmueshëm janë pak, po edhe pse shpesh hyjnë në përbërjen e togfjalëshit që funksionon si gjymtyrë fjalie. Kryejnë funksionin e përcaktorit me bashkim disa përemra pyetës dhe të pacaktuar.

Nga përemrat pyetës si përcaktor me bashkim përdoren: ç, çfarë e sa: varen nga gjymtyrë të shprehura me emër të pashquar: Ç ‘punë të doli në qytet? Ç ‘ëndrra të bukura ka thurur? Çfarë djema që ishin, s ‘do t’i tretë dot dheu. Sa ëndrra të mrekullueshme kishte thurur Stavri gjatë katër viteve. Nga përemrat e pacaktuar si përcaktorë me bashkim përdoren asnjë, ndonjë, çdo, ca, disa shumë, pak, kaq, aq. Përcaktori i shprehur me përemrin asnjë varet nga gjymtyrë të shprehura me emër të pashquar dhe përdoret në fjalitë mohuese: Asnjë njeri nuk dukej bregut të detit. Kur mbarova, e shënova mirë tokën dhe sipër nuk i vura asnjë shenjë. Në asnjë qytet nuk kishte parë një rregull e pastërti të tillë.

Përcaktori i shprehur me përemrin çdo varet nga gjymtyrë të shprehura me emër të pashquar: Druri i tij është i butë dhe mund të pritet me çdo thikë. Përcaktori i shprehur me përemrin ndonjë varet nga gjymtyrë të shprehura me emër të pashquar, por edhe me emër të shquar, kur ky shoqërohet nga një përemër pronor. Atje do të gjenin ndonjë punë, do të zinin ndonjë dhomë me qira dhe do të jetonin të dy. Mos është ndonjë njeri i dëgjuar? Po ta kërkonte, do ta gjente në ndonjë mal. sepse lule të tilla vetëm në mal rriten. Pa kur qëllonte që na e merrte kalin për ca ditë ndonjë fshatari ynë, gjumë s ’më binte në sy.

Përcaktori i shprehur me përemrat që tregojnë sasi të pacaktuara frymorësh a sendesh ose masë të përcaktuar: disa, ca, pak. shumë. mjaft, kaq aq, varet nga gjymtyrë të shprehura me emër të pashquar dhe nga përemri i pacaktuar të tjerë: Atë ditë shumëfshatarë shkonin në pyll për të mbartur qereste. Për fatin e tij ishin përhapur kaq fjalë, saqë tani s ’i besonte më njeri. Ky është mendimi i pak njerëzve. Kishin kaluar mbi ca dërrasa e mbi ca hekura dhe kishin hyrë më në fund brenda. Pas shumë vitesh ai u kujtua të dërgonte letër. Shumë njerëz ishin ulur e shumë të tjerë rrinin më këmbë.

Përcaktori i shprehur me përemrat tërë, gjithë, e mbarë, që tregojnë tërësi, varet nga gjymtyrë të shprehura me emër të shquar, me përemër dhe me togfjalësh: Duket sikur tërë fuqinë e ka në thjeshtësinë dhe në shtrirjen e tij. Gjithë fshati kishte dalë në fushë.

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

Comments are closed.