NXITJA PËR DHËNIE NË RRUGË TË ALL-LLAHUT NË KUR’AN DHE SUNNET

397

All-llahu i Madhërishëm thotë: “e çkado që të jepni, Ai e kompenson atë.”[1] Po ashtu thotë: “Çkado që të jepni nga pasuria, e keni për veten tuaj, po mos jepni për tjetërkë, por vetëm për hirin e All-llahut, e çkado që t’u jepni të tjerëve nga pasuria, ajo do t’u kompensohet në mënyrë të plotë duke mos u dëmtuar ju”.[2] Po ashtu thotë: “Pra çkado që të jepni nga pasuria, s’ka dyshim se atë All-llahu e di shumë mirë.”[3]

Nga Ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka xhelozi përveçse ne dy gjëra ose ndaj dy personave: Njeriut, që All-llahu ia ka dhënë pasuri ndërsa ai e shpenzon atë në të vërtetën, dhe njeriut që All-llahu ia ka dhënë urtësi ndërsa ai vepron sipas saj dhe ua mëson atë njerëzve.”[4]

Nga Adij ibën Hatimi radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mbrojeni veten nga zjarri, qoftë edhe me një gjysmë hurme (të dhënë në rrugë të All-llahut).”[5]

Nga Xhabiri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: Nuk ka ndodhur që t’i kërkohet diçka të dërguarit të All-llahut, e ai të thotë: “Jo.”[6]

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “All-llahu ka thënë: “O biri i Ademit, shpenzo (në rrugën Time), që Unë të shpenzoj për ty.”[7]

Nga Abdullah ibën Amër ibën Asi radijAll-llahu anhuma na përcillet se një njeri e ka pyetur të dërguarin e All-llahut: Cila është vepra më e mirë në islam? I dërguari i All-llahut u përgjigj: “Të ushqesh të varfrit dhe t’i japësh selam atij që e njeh dhe atij që nuk e njeh.”[8]

Nga Ebu Kebshe el-Enmariu radijAll-llahu anhu na përcillet se e ka dëgjuar pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem duke thënë: “Për tri gjëra ju betohem dhe po ua them një pas një, andaj mbajini mend: Pasuria nuk pakësohet duke dhënë sadeka (lëmoshë); nuk i bëhet ndonjë padrejtësië robit, për të cilën ai bën durim, e All-llahu të mos ia shtojë krenarinë; si dhe nuk ka mundësi që dikush ta hapë derën e lypjes e që All-llahu të mos ia hapë derën e varfërisë.”[9]

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush jep lëmoshë një gjysmë hurme nga ndonjë fitim i mirë – e All-llahu nuk pranon tjetër përveçse të mirës – All-llahu e merr në Dorën e djathtë të Tij dhe kujdeset për rritjen e saj ashtu siç ju kujdeseni për pemën që e mbillni derisa të bëhet sa kodra.”[10]

Po ashtu nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Derisa një njeri ishte duke ecur në shkretëtirë të hapur, dëgjoi një zë nga retë: Ujite kopshtin e filanit. Kjo re filloi të lëvizë derisa arriti te një tokë me shumë gurë të zi dhe lëshoi ujin dhe kështu një kanal nga kanalet e ujitjes e mori të gjithë ujin dhe ky filloi të shkojë pas ujit. Më pas pa një njeri në kopshtin e tij duke e orientuar ujin në hapësirën (e kopshtit). I tha: O rob i All-llahut! Si të quajnë? Ai ia ktheu: Filani dhe i përmendi emrin që kishte dëgjuar në re. Më pas i tha: O rob i All-llahut, pse më pyet për emrin tim? Ai i tha: Vërtet dëgjova një zë në re, uji i së cilës është ky, duke thënë: Ujite kopshtin e filanit, saktësisht me emrin tënd. Atëherë më thuaj çfarë bën ti me këtë kopsht? Ai tha: Pasi e the këtë, po të tregoj. E mbledh atë që del nga ky kopsht dhe një të tretën e jap sadaka, një të tretën e lë për vete dhe familjen time dhe një të tretën e fundit e shpenzoj në mbjelljen e kopshtit përsëri.”[11]

Po ashtu nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka ditë, në të cilën gdhijnë njerëzit e të mos zbresin dy melaike, që njëri prej tyre thotë: “O All-llahu im! Kompensoja pasurinë atij që jep”, dhe tjetri: “O All-llahu im! Shkatërroja pasurinë atij që nuk jep!”[12]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem po ashtu ka thënë: “Veprat e mira të ruajnë nga arenat e te këqijave, sëmundjeve (epidemive) dhe shkatërrimeve. Vepërmirët në dynja janë vepërmirët edhe në ahiret.”[13]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem po ashtu ka thënë: “Njeriu më i dashur tek All-llahu i Madhërishëm është ai që është më i dobishmi për njerëzit. Vepra më e dashur tek All-llahu i Madhërishëm është ta gëzosh një mysliman, apo t’ia largosh një hall, apo t’ia lash një borxh, apo t’ia shuash urinë. Tek unë më e dashur është ecja me një vëlla kur ai ka nevojë sesa të bëj i’tikaf në xhami për një periudhë njëmujore. Ai i cili ndal inatin e tij, All-llahu ka për t’i mbuluar atij të metën e tij. Ai i cili përmban zemërimin e tij – e nëse do që të përmbahet ka për t’u përmbajtur – All-llahu në ditën e gjykimit ka për t’ia mbushur zemrën me shpresë. Ai i cili ecën me vëllanë e tij kur ka nevojë derisa ta kryejë atë, All-llahu ka për t’ia forcuar këmbët ditën kur tronditen këmbët (d.m.th. në ditën e gjykimit). Vërtet morali i keq e prishë veprën ashtu sikurse uthulla e prishë mjaltin.”[14]

Nga Ebu Malik el-Esh’ariu radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Në xhennet ka dhoma, që nga brendia duket pjesa e jashtme e tyre dhe nga jashtë duket pjesa e brendshme e tyre. All-llahu këto dhoma i ka përgatitur për ata që i ushqejnë fukaratë, e përhapin selamin dhe falin namaz nate kur njerëzit flenë.”[15]

Po ashtu pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ai që i jep lëmoshë vejushës ose fukarasë, e ka shpërblimin sikur të muxhahidit në rrugë të All-llahut ose atij që falë namaz nate dhe agjëron ditën.”[16]

[1] Kaptina Es-Sebe’, ajeti 39.
[2] Kaptina El-Bekare, ajeti 272.
[3] Kaptina El-Bekare, ajeti 273.
[4] Muttefekun alejhi: shënojnë  Buhariu (73) dhe Muslimi (816).
[5] Muttefekun alejhi: shënojnë  Buhariu (1417) dhe Muslimi (1016).
[6] Muttefekun alejhi: shënojnë  Buhariu (6034) dhe Muslimi (2311).
[7] Muttefekun alejhi: shënojnë  Buhariu (5352) dhe Muslimi (993).
[8] Muttefekun alejhi: shënojnë  Buhariu (12) dhe Muslimi (39).
[9] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (2325) dhe Ahmedi (17570). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3024) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[10] Muttefekun alejhi: shënojnë  Buhariu (1410) dhe Muslimi (1014).
[11] Sahih: shënon Muslimi (2948).
[12] Muttefekun alejhi: shënojnë  Buhariu (1442) dhe Muslimi (1010).
[13] Shënon Hakimi në Mustedrek (1/213, nr. 429). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3795) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[14] Hasen: shënon Ibën Ebi Dunja në librin Kadaul-Havaixh, fq. 47, nr. 36. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (176) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[15] Hasen: shënon Ahmedi (22398). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (2123) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[16] Muttefekun alejhi: shënojnë  Buhariu (5353) dhe Muslimi (2982).

 

Përshtati dhe përmblodhi :

STUDENTET.MK

Comments are closed.