Neurozat

760

Neurozat paraqesin grup çrregullimesh mentale pa substratin organik. Neuroza është gjendje te e cila ekzistojnë ndryshime psikike tek personaliteti, tek të cilat nuk ekziston substrat organik patologjik, te e cila paraqitet laramani e vuajtjeve psikike të karakterit subjektiv, me reperkusion mbi funksionimin dhe përshtatjen e planit intim, profesional dhe social.

Neurotiku asnjëherë nuk e ndërpren lidhjen me realitetin, nuk e mohon ekzistimin e realitetit, ai vetëm e injoron realitetin. Personaliteti neurotik paraqitet për shkak të ekzistimit të konfliktit ndërmjet dëshirave dhe nevojave të realitetit. Ai nuk mund ta tejkalojë ndjenjën e anksiozitetit dhe shqetësimit. Që të kuptohet plotësisht neuroza dhe personaliteti, duhet të preket në konfliktet e nënvetëdijshme të personalitetit.

Tek neurotiku, vend qendror çdoherë zë konflikt emotiv. Domethënë që në bazën e sjelljes neurotike qëndron konflikti. Vetë konflikti paraqet element bazik në sjelljen neurotike. Jo rrallë kështu njeriu është i tendosur psikikisht ndërmjet dy motiveve, dy situatave. Kur frustracioni bëhet i padurueshëm, personaliteti bie në sëmundje.

Këtu sërish ndeshemi ndërmjet mospërputhjes së mundësive dhe dëshirave për arritjen e qëllimit, personaliteti lufton, kërkon zgjidhje, por zgjidhje nuk ka. Rezultat i kësaj është ikja në sëmundje me zvogëlimin e funksionimit psikologjik. Jetojmë në kohën me ritëm të shpejt të jetës, arritje të mëdha teknike, nevoja për arritjen e maksimumit në jetë, dëshira për siguri materiale. Dëshira ka shumë, por mundësi ekzistojnë pak.

Shekulli i ri i solli njeriut bashkëkohor probleme të reja, strese të reja, forma të reja të patologjisë dhe sjelljes së njeriut. Njeriu sot ballafaqohet me vështirësi që t’i harmonizojë marrëdhëniet ndërnjerëzore. Prezent është siguria e pjesshme për ditën e nesërme, që nuk e di se çfarë do të sjellë ajo ditë.

Pasiguria e mundon shpeshherë mendjen e njeriut. Është prezent lufta e ndërsjellët për prestigj, e cila sjell vetëm dy mundësi; njëra është kënaqësi e plotë dhe qetësi shpirtërore e suksesit të arritur, apo pakënaqësi e plotë, pikëllim, ndjenjë e çështjes jo të mirë dhe pasiguri dhe shqetësim shpirtëror.

Tek personat labilë, çdo mossukses në jetë, çdo grindje, çdo dëshirë e parealizuar, paraqesin faktorë që e inhibojnë, e dobësojnë dhe e ngadalësojnë personalitetin në reaksionet e tij, duke e sjellë në sëmundje. Tërë kjo që personaliteti nuk është në gjendje ta arrijë në formë normale në jetën e vet, përpiqet tash ta arrijë në formë të sëmundjes, duke kërkuar mëshirë nga rrethi për paaftësitë e veta që diçka të arrijë.

Në këtë mënyrë, personaliteti ikën në sëmundje, bëhet neurotik, pa ekzistuar bazë organike për sëmundjen.

 

Përmblodhi dhe përshtati

STUDENTET.MK

Comments are closed.