Modaliteti objektiv dhe subjektiv

1,859

Modalitetit objektiv, mund të shprehet me anë të mënyrave
të foljeve të cilat ndryshojnë nga gjuha në gjuhë. Kjo do të thotë se ky modalitet
është i lidhur ngushtë me trajtat e ndryshme foljore që zgjedhohen. Sipas Gramatikës së
gjuhës shqipe I, me anë të kategorisë gramatikore të mënyrës folësi shpreh qëndrimin e
tij ndaj veprimit të emërtuar nga folja duke e paraqitur atë si të vërtetë, të mundshëm,
të dëshirueshëm etj. Në grupin e parë, thuhet më tutje, hyjnë mënyra dëftore dhe
habitorja, që shprehin kryesisht modalitetin e vërtetësisë; në grupin e dytë hyjnë mënyra
lidhore dhe kushtorja, që shprehin kryesisht modalitetin e mundësisë; ndërkaq, dëshirorja
dhe urdhërorja shërbejnë për të shprehur modalitetin e dëshirës, e para në formë urimi
ose mallkimi dhe e dyta në formë urdhri a kërkese.

Për mendimin tonë, ky lloj modaliteti mund të shprehet edhe me anë të togjeve të
foljeve, si p. sh.: është e mundshme (e mundur), është e nevojshme, është e domosdoshme + lidhore; është e udhës + lidhore, si në ndërtimet: Është e mundur të thuhet edhe
kështu: … ; Është e nevojshme të theksohet edhe kjo çështje; Është e udhës të vizitohet
edhe ky vend historik; etj.

Po kështu, kjo kategori gjuhësore mund të shprehet edhe me anë të foljeve ndihmëse
kam e jam + një paskajore, si p. sh.: Unë kam për të shkuar nesër në atë vend; Ata kuaj
nuk janë për të shëtitur, por për të punuar; etj.

Edhe në Gramatikën e gjuhës shqipe II përmendet shkurtimisht modaliteti i fjalive
kur flitet për llojet e kumtimit. Aty, në mes tjerash, thuhet se fjalitë dëftore e pyetëse,
sipas qëndrimit të folësit ndaj realitetit të pasqyruar prej thënies, mund të kenë ngjyrime
modale të ndryshme. Përveç fjalive më të zakonshme që flasin për fakte reale, ka edhe
fjali që tregojnë mundësi a pamundësi, supozim, pasiguri a dyshim, domosdoshmëri etj.:
Kjo dhembje s’durohet më. (pamundësi). A kalohet këtej? (mundësi). Nga t’ia mbaj?
– tha më vete ai. Mos vallë korrieri të dërgoi kot këtu? (pasiguri). Do të ketë dalë ndër
miq. (supozim). – Do të kenë prerë ndërlidhjen? – thirri. (supozim).

Në anën tjetër, modaliteti subjektiv ka të bëjë me qëndrimin subjektiv të folësit
për një gjë që është e vërtetë, e mundshme, e domosdoshme, e supozuar etj. nga realiteti
objektiv. Prandaj, mjetet gjuhësore që i përdorin folësit për të shprehur këtë intencë, janë
fakultative. Themi se janë fakultative ngase ato edhe po t’i shmangim krejtësisht nga
përdorimi, nuk u prishet kuptimi i elementeve të mbetura të njësisë sintaksore: Krahaso:
Më sa shoh unë, çdo gjë shkoi si duhet. (= Çdo gjë shkoi si duhet).

Në të folur, të gjitha ndërtimet që e shprehin këtë lloj modaliteti, shqiptohen me
një intonacion krejt tjetër nga njësia kumtuese që ngërthen më vete një vlerë modale
objektive. Ato shqiptohen me një ton më të ulët dhe me një ritëm pakëz më të shpejtë
nga ai i fjalisë ose nga pjesa tjetër e fjalisë. Dhe kjo gjë mund të krijojë përshtypjen
se ato kanë vlerë shtesore, si elemente të dorës së dytë etj. Kurse në të shkruar, në të
shumtën e rasteve, ato veçohen me anë të presjeve.

Ky lloj modaliteti mund të shprehet kryesisht me fjalë e togje fjalësh të ndërmjetme, si
p. sh.: sigurisht, me siguri, domosdo, patjetër, pa fjalë, pa frikë, me çdo kusht, vërtet, në
të vërtetë, ndoshta, kushedi, vetëkuptohet, siç duket, sipas të gjitha gjasave, pa dyshim,
në fakt, me të drejtë, natyrisht etj., që, bazuar në kuptimin e tyre, ato përgjithësisht
shprehin shkallën e vërtetësisë së kumtimit, si plotësisht të vërtetë, të domosdoshëm, të
padyshimtë, ose si të mundshëm.

 

Përmblodhi dhe përshtati:

STUDENTET.MK

Comments are closed.