Kundrina e veçuar dhe ndërtime të tjera të veçuara (pjesa e dytë)

195

Këto ndërtime herë – herë afrohen me rrethanorët ose marrin edhe ngjyrime rrethanore të mbishtuara.

Këtu mund të përmenden gjymtyrët e dyta të veçuara të paraprira nga parafjalët përveç, veç, nga lokucionet parafjalore me përjashtim, në vend, në këmbë, me gjithë etj., që shënojnë shtim, përjashtim, kundëri (lejim):

Përveç Zanës, Kristaqit, Lirisë, kishte ardhur nga Vlora kushërira e tyre Zelka. Të gjithë heshtën, përveç shokut tim. Përveç kryetarëve të Pirganit dhe të Sopishtës, të gjithë ia krisën gazit. Veç rojes, atje s’kishte shkuar asnjeri. Të gjithë qeshën, me përjashtim të gjyshes. Në vend të kasolles, ai gjeti shtëpi të re. Kryetari, në vend të përshëndetjes, i shkeli synë.

Dalin si të vëçuara edhe gjymtyrët e shtesimit që tregojnë rrethana plotësuese, shënime e shpjegime saktësuese dhe para tyre mund të qëndrojnë fjalët sidomos, p.sh., veçanërisht etj.:

Në fshatrat pranë, si p.sh. në Vranisht, në Brataj, në Bolenë e në gjithë Labërinë e në gjithë Bregun, lajmi kaloi gojë më gojë. Për nje kohë, sidomos pas vitit 1940, poezia e këtij shkrimtari karakterizohet prej dy tiparesh me rëndësi. Pastaj anës së arës, sidomos bregut të Lanës, ishin ca arra të medha dhe çfarë arrash.

Si gjymtyrë të veçuara të spikatjes theksuese dalin edhe gjymtyrët e dyta të paraprira nga parafjala për, nga lokucioni parafjalor sa për:

Për i shkathët, është i shkathët. Sa për motrën, ajo kish filluar të punonte edhe në tezgjah.

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

Përgatiti dhe përshtati:

WWW.STUDENTËT.MK

Comments are closed.