Kundrina e drejtë (pjesa e parë)

956

Kundrina e drejtë shënon zakonisht objektin tek i cili kalon pandërmjetshëm veprimi i shprehur nga folja ose objektin që është rezultat i këtij veprimi: Punëtorët rishikonin planet e prodhimit dhe bënin propozime të guximshme. I shkruan një letër të gjatë.

Marrin kundrinë të drejtë foljet kalimtare veprore. Kundrina e drejtë është zakonisht gjymtyrë e domosdoshme për fjalinë që ka një folje të tillë. Ajo vihet në rasën kallëzore pa parafjalë: Nismat e shumta kundër mbeturinave mesjetare që e poshtëronin gruan, që i ndrydhnin personalitetin dhe që e bënin të rëndë jetën e saj, duhen vlerësuar si shpërthim i një hovi të ri të kohës. Mund të marrin kundrinë të drejtë (edhe të zhdrejtë) edhe format e pashtjelluara të tipit për të punuar, me të punuar, e një të punuar, duke punuar e pa punuar.

Karakteristikë e kundrinës së drejtë është kthimi i saj në kryefjalë kur folja që plotëson ajo shndërrohet nga veprore në pësore: Reforma e re arsimore ka hapur perspektiva të mëdha për zhvillimin e arsimit: Perspektiva të mëdha për zhvillimin e arsimit janë hapur nga reforma e re arsimore. Në të tilla raste gjuha shqipe të shumtën e herës parapëlqen ndërtimin me trajtën veprore. Mund të marrin kundrinë të drejtë edhe emrat prejfoljorë asnjanës. Përdorim të rregullt ka kundrina e drejtë me emrat prejfoljorë asnjanës të rasës rrjedhore që vijnë pas foljesh që tregojnë mbarim, pushim a vijim veprimi ose që shënojnë shkak, mjet: Tollumbi i kapur nga demonstruesit pushoi së hedhuri ujë. Nuk ngopesha së shikuari misrin nën ujë. Hasen rrallë e gjithnjë e më rrallë kundrinat e drejta me emra prejfoljorë asnjanës në përdorime të tjera: Ia kishin nisur me të hapur kanale e me të pjekur qyngje.

Përdoret kundrina e drejtë edhe në fjali të paplota nxitëse e në të tjera ndërtime ku nënkuptohet folja: Kujdes makineritë! Amanet djalin!

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

Comments are closed.