Koncepti i kulturës së organizatës

5,372

Kultura e organizatës është shumë e rëndësishme, sepse kultura e brendshme patjetër t’u përgjigjet kërkesave të rrethinës së jashtme të kompanisë, sepse në këtë mënyrë organizata e rrit performancën e vet. Kultura organizative e ka kuptimin më të ngushtë se kultura si nocion i përgjithshëm, sepse kjo manifestohet në mjedisin mikrosocial (ndërmarrje) në vend të manifestimit të përgjithshëm në shoqëri dhe institucionet e saj në tërësi. Kjo ndodh ngaqë kultura e organizatës i përmban të gjitha aktivitetet e ndërmarrjes. Ajo ndikon në mënyrën e organizimit, shkallën e decentralizimit dhe të formulimit të autoritetit të organizatës. Ajo gjithashtu ndikon edhe në kontrollin, në shfrytëzimin e resurseve, në planifikim dhe në strategjinë e organizatës.

Për menaxherin është shumë e rëndësishme kultura e organizatës, sepse ajo ndikon në tërë sjelljen e saj. Këtë e dëshmon lidhja e ngushtë ndërmjet sjelljes së organizatës dhe të kulturës. Po ta analizojmë konceptin kulturë në përgjithësi, do të shohim se ai përmban disa elemente, siç janë: traditat, shprehitë, besimet, qëndrimet, normat e sjelljes etj.

Lidhur me përkufizimin e kulturës së organizatës, sot ekzistojnë mendime dhe qëndrime të ndryshme. Në kuptim më të thjeshtë kultura e organizatës përkufizohet si një tërësi vlerash, normash e besimesh. Sipas Trens Dill-it dhe Alen Kenedit, kultura paraqet tërësi vlerash mbizotëruese të organizatës, që i ndajnë anëtarët e organizatës dhe i pranojnë si mënyrë të qeverisjes “. Nga kjo rrjedh se kultura definon stilin jetësor të organizatës dhe të grupeve brenda në të. Pra, paraqet një sistem specifik dhe të vazhdueshëm të sjelljeve, vlerave, besimeve, normave dhe traditave, të cilat i caktojnë sjelljet e organizatës dhe u drejtohen të gjitha aktiviteteve, gjithë individëve dhe grupeve në organizatë.

Me konceptin kulturë të organizatës nënkuptohet: sistemi i parashikimeve, besimeve, vlerave dhe normave të sjelljeve, të cilat janë paraqitur dhe zhvilluar nga përvoja e përbashkët e anëtarëve të organizatës.

Nga këto përkufizime mund t’i nxjerrim karakteristikat themelore të kulturës së organizatës, siç janë:

a) Indikatorët e elementeve të padukshme të kulturës, të besimeve, vlerave, parashikimeve, perceptimeve të përbashkëta dhe normave të sjelljes, të cilat i posedojnë anëtarët e organizatës.

b) Karakteri social i formon suazat e organizatës si sistem shoqëror, e jo në nivel individual. Në suazat e grupeve të caktuara sociale, siç janë: organizatat, shtresat sociale, kombet etj.

c) Karakteristikë tjetër e kulturës së organizatës janë efektet, sepse ato e shprehin mënyrën specifike të sjelljes dhe stilin e funksionimit të organizatës dhe të grupeve brenda saj, duke krijuar një sistem të rregullave dhe të normave, të cilat i drejtojnë aktivitetet e përditshme dhe sjelljet e anëtarëve në organizatë.

d) Karakteristikë tjetër është edhe mënyra e formimit. Kultura e organizatës formohet nëpërmjet procesit të interaksioneve sociale të anëtarëve në organizatë, komunikimit të anëtarëve në të, me akumulimin e përvojave të përbashkëta.

Kultura e organizatës mund të analizohet në tri nivele :

Niveli i parë ka të bëjë me caktimin e kulturës në organizata, si dimension i dukshëm, i cili përfshin: mënyrën e veshjes, modelet e sjelljeve, simbolet fizike, parullat propaganduese, rregullimi i zyrave. Këtu bëjnë pjesë të gjitha vlerat që duken, dëgjohen, shikohen dhe vërehen.

Në nivelin e dytë janë gjërat që nuk duken, por që mund të kuptohen në bazë të asaj se si njerëzit i sqarojnë dhe vërtetojnë në punën e tyre. Këto janë gjera që njerëzit e organizatës i mbajnë në formë gjykimesh.

Në nivelin e tretë bëjnë pjesë theksimi i paragjykimeve dhe i besimeve, të cilat janë thelbi i kulturës së organizatës në udhëheqjen dhe vendosjen e saj. Kultura e organizatës ka një rëndësi të madhe edhe në vetë suksesin e saj. Lideri krijon vlera të atilla që i udhëheqin punëtorët në organizatë gjatë veprimeve të ardhshme me vizione, duke trokitur thellë në zemrat e tyre se kjo gjë është e mirë për organizatën.

Nëse në një ndërmarrje menaxhmenti zbaton stil të njëjtë të udhëheqjes për një kohë të gjatë, themi se stili i udhëheqjes paraqet pjesë të kulturës organizative të ndërmarrjes, ose nëse organizata kujdeset për motivimin e punëtorëve, duke e nxitur statisfaksionin moral të tyre në çdo festë, atëherë mund të themi se ky lloj raporti ndaj punëtorëve e paraqet kulturën e organizatës.

Koncepti i kulturës së organizatës dhe i përkufizimit të saj, lidhet me imazhin (rejtingun) e dëshiruar dhe pasqyrën e ndërmarrjes. Imazhi i saj i mirë i përgjigjet pyetjes: “Si na sheh dhe na vlerëson mjedisi, pretendentët?”. Për dallim nga kjo, pasqyra e dëshiruar u përgjigjet pyetjeve: ”Kush jemi ne?”, ”Si dëshirojmë të bëhemi?”, ”Çfarë rezultate dëshirojmë të arrijmë?”, ”Si mendojmë ta përparojmë dhe ta udhëheqim ndërmarrjen?” etj.

Përmblodhi dhe përshtati:

STUDENTET.MK

Comments are closed.