Intervistë me Prof. Naser Miftarin, “Arsimi te ne, progres apo regres”

1,063

Studentet.mk, këtë herë publikon intervistën e plotë të realizuar me historianin Naser Miftarin. Në këtë intervistë enkas për faqen studentet.mk, profesori elaboroi cilësinë e arsimit në vendin tonë, kështu duke trajtuar sfidat dhe mundësitë në vendin tonë. Pasqyrimi i realitetit në këtë intervistë ngjall te ne shpirtin produktiv për tu angazhuar më shumë për të përmirësuar segmentet kyçe në shoqëri.

Studentet.mk: Profesor Naser Miftari, jeni ndër personalitetet që identifikoheni me
epitetin veteran i arsimit, mund të na flisni pak për biografinë tuaj?


Prof. Naser Miftari: Naser Miftari lindi më 20 prill të vitit 1965, në f. Nigishtan, periferi e qytetit të Shkupit, në gjirin e një familje bujare dhe me traditë, të shquar si punëtorë, arsimdashës dhe artëdashës, me ndjenja të fuqishme fetare dhe kombëtare. Prindër punëtor dhe me dashuri të pa matur prindërore, sfidojnë barrierat e kohës dhe fëmijëve të tyre ju mundësojnë edukim të mirëfilltë dhe shkollim-arsimim solid. Realizojnë në praktikë thënien ”askush nuk dëshiron askënd më të arritur se vetja, pos prindërit-fëmijët e tyre”, duke nxjerë në pahë fenomenin “mungesat dhe dëshirat prindërore, të plotësojnë dhe përjetojnë tek pasardhësit-fëmijët e tyre”, për të cilën nga thellësia e zemrës, u jam mirënjohës dhe falemnderues.
Shkollën fillore “tetëvjeçe”, e fillon dhe mbaron në vendlindje, me sukses shkëlqyer dhe sjellje shembullore. Duke marrë më të mirën nga mësuesit e tij, vazhdon shkollimin e mesëm në Shkup-v.shk.1980/81 – 1983/1984, gjimn.“Zef Lush Marku”. Pas mbarimit të gjimnazit regjistron dhe me sukses mbaron studimet në AP ”Kliment Ohridski”- Shkup, 1984/85-1985/86, drejtimi Histori-Gjeografi-arsimtar i diplomuar për shkolla fillore.
Në moshën 21 vjeçare,Naser Miftari emërohet mësimdhënës në shkollën fillore “J.K.-Xhinot”, sot “M.K.-Ataturk”-f.Koliçan, në shkollën periferike, f.Paligrad-në shpatiet e malit Kitkë-50 km. larg vendlindjes. Në shtëpi kthehej uikendeve. Më pas, me dëshirë për tu ofruar më afër vendlindjes, do të ndëroj vendin e mësimdhënies në më shumë vende dhe shkolla, si në: f. Koliçan i Ep., pastaj në sh.f. “Jane Sandanski”, sot “Jashar Bej Shkupi”-Shkup, sh.f. ”26 Korriku” – Shkup. Kjo lëvizje dhe ndërrim i vendeve të punës, njohja me më shumë njerëz dhe tradita, dukshëm kishte ndikuar në përballje të më shumë dallimeve, këmbim përvojash dhe njohje me realitetin jetësor!
Duhet theksuar se, krahas mësimdhënies, në mënyrë paralele, Naser Miftari, pa rreshtur do të ndjekë: kurse, seminare dhe projekte të ndryshme profesionale dhe jo vetëm aq. I bindur se arsimi është rruga më e sigurtë për arritje suksesi, Ai regjistron studimet me korrespodencë në “Universitetin Shtetëror të Tetovës”- fakulteti filozofik, dega Histori, ku dhe diplomon si profesor i lëndës së Historisë-viti akademik 2009/10. Pas diplomimit të fakultetit në fjalë, nga viti shkollor 2010/11, emërohet si profesorë në gjimnazin, gjegjësisht ShMQSh ”Zef Lush Marku”-Shkup, ku edhe sot punon. Prof. Naser Miftari, ka një biografi të stërngjeshur informacionesh mbi jetën, punën dhe veprimtarinë e tij në përgjithësi. Ai që nga bankat e arsimit fillor dallohej si nxënës me sjellje dhe zellshmëri, jo vetëm në lëndët mësimore, por edhe jashtë saj. Paralelë me ecjen dhe zhvillimin në jetën profesionale, Naser Miftari ishte i suksesshëm edhe në jetën private të tij duke u dalluar në mbarëvajtjen e familjes, si bashkëshort dhe prindë i katër fëmijëve, me të cilën mburrej. Shquhej për nga qëndrimi, veshja dhe pamja; saktësia dhe pedantëria në kryerjen e detyrës; afinitete shoqërore-sociale; dashurinë për të bukurën dhe mjedisin; aktivitete sportive dhe ekologjike. Veçori karakteristike e tij ishte “bukurshkrimi” dhe “besnikëria ndaj fjalës dhe detyrës”, të mbjellura dhe kultivuara me shumë kujdes nga prindërit, mësuesi, arsimtarët dhe profesorët, mjeshtër të spikatur të edukatës-sjelljes, dijes-mësimit, të farkuara dhe kalitura ndër vite, ku të njëjtën me shumë dashuri do të manifestoj përmes pjesëmarrjes së tij, në përgatitje të shumë aktiviteteve dhe programeve shkollore dhe jashtë saj, aktivitete dhe paraqitje publike, të cilat vijnë në shprehje, në vende dhe evente të ndryshme, për të cilën do të shpërblehet me dhurata, mirënjohje dhe diploma. Me entuziazëm dhe vetëbesim gjithnjë e më shumë pasuron fondin e diturive dhe rishtaz begaton përvojën dhe të zhvillojë veprimtarinë e tij të gjallë në më shumë drejtime, duke u kyçur në mënyrë të drejtëpërdrejtë edhe në aktivetete të sferës politike dhe humanitare-voluntere, përmes organizimeve të ndryshme shoqërore, trajnimeve profesionale eduk.-arsimore, trajnimeve dhe aksioneve humanitare, konform  nevojave dhe kërkesave, në kohë paqe dhe lufte. Ishte dhe mbetet bashkëpuntor i ngushtë i më shumë OJQ, si:“Caritas”; “USAID-MCGO”, “OSCE”, “Këshilli i Evropës-Zyra Shkup”, “Metamorfozis”, “Ambasada e Parë e Fëmijëve në Botë-Megjashi”, “Instituti për Politika Evropjne”, “Instituti për Media të Maqedonisë”, “NEXUS”, ”Instituti Parlamentar i Kuvendit të RMV”, etj. Është anëtar i Komisionit Nacionalë-MASH për tekste shkollore”, anëtar i Komisionit Nacionalë-MASH-për reforma në arsim të mesëm gjimnazor, anëtarë i Komisionit QVM/DIC-provim shtetëror, etj. Këto dhe shumë rrethana të reja të krijuara dukshëm kanë ndikuar në përvetësimin e njohurive, ndarjen e përvojave dhe menaxhimin e resurseve. Është pjesëmarrës dhe realizues i më shumë projekteve arsimore, trajnime-seminare, konferenca dhe panaire shkencore, në vend dhe jashtë. Ajo që e karakterizon dhe bën të veçantë nga të tjerët,  është titulli ambasador paqe dhe anëtarësimi i tij në Federatën Universale për Paqe-Gjenevë! Naser Miftari nuk është vetëm mësues-profesor, por edhe aktivist qytetar, pjesëtar në më shumë debate dhe panele publike si dhe aktivitete të drejtëpërdrejta në terren. Është dashamirë i artit të shkruar-autor i dy librave të botuar, artit figurativ dhe të gdhendur në letër dhe dru, pjesëmarrës në debate dhe TV emisione, programe mediatike me karakter edukativo-arsimor-profesinalë, në të mirë të brezave të ri, me një numër të madhë diploma, çertifikata, mirënjohje, nga shumë organizata, shoqata dhe individ.
Sot, Naser Miftari si prind i katër fëmijëve të diplomuar dhe me mbi 30 vite përvojë pune si mësimdhënës, aspak nuk ka ndaluar ritmin dhe po me këtë elan, i buzëqeshur dhe plotë mburrje,   vazhdon të ushtroj profesionin e mësimdhënies dhe aktiviteteve të ndryshme edukativo-arsimore, të orientuar dhe përforcuar në disa segmente, si: arsim profesionalë të digjitalizuar-TIK; arsim paqësor; interkulturalizëm, eko-kulturë; aktivizëm qytetar; mësim praktik-terenik!

Studentet.mk: Nga e absorboni motivin dhe vullnetin për të kontribuar në të mirën e
shoqërisë në përgjithësi, dhe të rinjëve në veçanti?

Prof. Naser Miftari: Një pyetje e shpeshtuar kohëve të fundit, por tejet e rëndësishme. Edhe pse shumë herë jam përgjigjur, ende nuk besoj se kam dhënë përgjigjen e plotë, sepse nga vetëvëzhgimet dhe analizat e deritanishme kam ardhur në përfundim, çështja e motivimit dhe vullnetit, të të bërit mirë dhe të pëlqyerit nga të tjerë, sa duket e lehtë po aq është komplekse dhe e rëndë, e dëshmuar nga hulumtime të më shumë psikologëve-psikoanalistëve dhe pedagogëve, si moment i rëndësishëm për të ecur drejtë suksesit. Nga këndvështrimi im, përgjigja mbi vullnetin dhe motivimin e të bërit sot, rrënjët i ka nga e kaluara ime ose më mirë thënë që nga mosha fëmijërore e përcjellur deri në ditët e sotme. Do të mundohem të shfaqë mendimin tim, të përshkruaj dhe ndaj me ju mbarë përvojën time, përmes disa pikave apo hapave që bëjmë dhe synojmë në jetë! Ato janë:
1. Edukimi i mirëfilltë prindëror/familjarë, bazuar në vetësimulim dhe vetëmotivim!

Prindërit tonë praktikonin vetësimulimin, gjë që sot mungon në praktikën tonë. Ata kur rëndonin nga punët e shumta, vetëmotivoheshin duke kritikuar “përtacin” dhe “urdhëruar veten” me fjalë nga më të ndryshmet. Veçojmë disa nga shprehjet mbresëlënëse,si:“jemi ulur mbi punë”; “përtacia të nxinë fytyrën”; “kush është i zoti, nuk i shkon zi moti” etj.

2. Edukimi i rrethit, ngjashëm apo i përafërt me ate prindëror, bazuar në të lavdëruar apo kritikë; krenari apo turp – inat!

Asokohe, po qe se përtonim apo nuk dëgjonim porosit e fqinjëve apo të tjerë më të moshuar se ne, “do të ishim të nënçmuar apo të izoluar” nga rrethi – një lloj dënimi dhe rregulli i pa shkruar! Për të njëjtën pastaj do të ishim të qortuar edhe nga prindërit/familja. Sot as që mundë të paramendohet të vepruarit e tillë!

3. Edukimi arsimor – shkolla, apo mbarë procesi eduk.-arsimor, bazuar në faktorin mësues!

Procesi eduk.-arsimor ishte “nyje e sofistikuar” – gërshetim mes: ligjit – obligimit – përgjegjësisë -dashurisë – nevojës/kërkesës – frikës – dëshirës – rezultatit/suksesit – karrierës… që gjithmonë para nesh shfaqeshin si një spektakël, pa u sqaruar asnjëherë, se: si, sa apo çfarë duhej bërë! Mësimdhënësi dhe prindi ishin aktorët kryesorë – autoriteti, ndërsa nxënësi mbetej nën hijen e kësaj “nyje”. Ai/ajo duhej vetëm të dëgjoj, të mësoj, motivoj dhe forcoj vetëveten, në klasë dhe jashtë saj – në terren/mjedisin ku jetonte, brenda shumë pikëpyetjeve dhe pikëçuditëseve të rastit, të momentit dhe kohës që ishim. Mundë të themi se edhe sot ekzistojnë pikëpyetje dhe pikëçuditëse nga më të ndryshmet, por pa “nyjen e sofistikuar”!?

4. Kryerja e shërbimit ushtarak obligativ, institucion në vete – faktori institucional!

Parashërbimi-kontrollimi mjekësor dhe përgjigja, sa e shumëpritur po aq e shumëmërzitur, sa e shumëgëzuar po aq e shumëfrikësuar – “I aftë; përkohsisht i aftë apo i pa aftë”. Përgjigja e “I aftë”- ishte krenaria e çdo individi! Ajo lidhej me shumë elemente që e “bënin ose ç’bënin jetën”, gjë e cila drejtëpërsëdrejti mbante, sa të ndezur po aq të kontrolluar psikogjendjen personale dhe rrethit-shoqëris. Filozofi e shumë zhvilluar mbarëshoqërore, diç e pakuptuar për ditët tona!

5. “Punësimi-vorbulla e njerëzores” – bazuar në ndërgjegje!

Puna-detyra profesionale e kryer nga secili i punësuar/individ, nënkupton të zgidhurit e “nyjes së sofistikuar”. Ai ishte kompetenti, i afti, i dituri, i besuari… duhej të ishte personi përgjegjës i detyrës që kryente. Nga cilësia e punës përcaktohej niveli i autoritetit, suksesit karrierës… Përdorej shprehja: “Jepja hakun punës, bëj hallallë pagën-mbaj familjen!”; “bëhu faqebardhë në punë”…etj. Forcohej veprimi autonom/pavarur bazuar në ndërgjegje (inati, frika, lavdi…)! Sot tingëllon ndryshe: “kam punë të lehtë-tërë ditën flej”, “kam të njohur dhe miqë”…!?
Këto dhe shumë elemente tjera, janë kultivuar me shumë kujdes dhe dashuri gjatë gjithë jetës sime dhe sot po të njëjtat janë sedimentuar, shndërruar në bazament/themelë, mbi të cilën ndërtohet, rindërtohet-sendërtohet në vazhdimësi “burimi i vullnetit dhe motivimit” dhe jo vetëm aq, por gjithnjë e më shumë duke u pasuruar dhe zbukuruar i njëjti, dëshmuar me vepra konkrete, ide, iniciativa dhe realizime, të performuara me nuanca nga më të ndryshmet. Energjia e gjithë kësaj, herë vjen nga brendia – burimi i sedimentuar nga e kaluara, e shumë herë nga jashtë, nga bashkëpunëtorët-bashkëkohësit e mi. Burim i fuqishëm për të arritur më të mirën te brezi i ri, paraqet dëshira dhe dashuria për to dhe të besuarit në forcën e tyre për jetë më të mirë. Ajo është e arritur vetëm nëse zhvillojmë empatin, marrëdhënie të shëndosha ndërnjerëzore, komunikim të mirëfilltë, besim reciprok dhe mirëkuptim. Këto elemente të arritura më japin forcë për më shumë punë. Motoja ime e besuar dhe e dëshmuar është “të rinjët dinë dhe munden, ata duhet përkrahur dhe ndihmuar, në të shprehur dhe veprim të lirë…të krijojmë hapësirë mendimi dhe veprimi – pjesëmarrje aktive në të gjitha fushat”.
Bëhu i sinqertë, ndaj të mirën dhe të keqen me to, Ata janë në gjendje të bëjnë mrekulli.
Mjafton të hapim mendjen e tyre dhe atëherë ke arritur të gjitha.
Të ndryshojmë qasjen e mësimdhënies, të zhvillojmë bashkëpunimin, për të besuar në sukses.

 Studentet.mk: Kur flasim për arsimin, realisht a flasim edhe për ardhmërine e atij
populli?


Prof. Naser Miftari: Pa dyshim. Shkolla-shkollimi/arsimi-arsimimi, që nga zanafilla e saj mijëvjeçare e deri në ditët tona, paraqet sinonimin e “ardhmërisë”, në të kundërtën e tëra do të ishte e pakuptimt. Procesi edukativo-arsimor, ndër më të përbërit, më kompleks dhe më të shtrenjtë në shoqëri, vetëveten e arsyeton me të vetmin qëllim-të pëgatiturit e personalitetit/individit dhe popullit për të ardhmen e tij. Në momentin që shkolla/arsimi zbeh synimin dhe qëllimet, shkon kah shkatërrimi i procesit edukativo-arsimor, me automatizëm nënkupton vetëshkatrimin, haosin dhe prapambeturin! 

Studentet.mk: Thuhet se arsimi është vlera më sublime që ka kultivuar njerëzimi përgjatë shekujve. Si e vlerësoni këtë pohim?

Prof. Naser Miftari: Më se e vërtetë. Plotësisht pajtohem. Historia na mëson se njeriu si qenie e gjallë u paraqit para miliona vitesh. Ai jetonte nën qiellë të hapur, i ç’veshur dhe pastrehë, lëvizte dhe ushqehej si çdo qenie tjetër, por me kalimin e kohës ndryshoi dhe u veçua nga çdo qenie tjetër, përmes dijes si fundament i mençurisë. Dija dhe mençuria jo vetëm që e veçoi atë nga të tjerat, por e bëri më të përsosur duke vënë përdorim të vetin shumicën e qenieve tjera të gjalla. Gjithë këtë e arriti dhe po e përsososi në vazhdimësi, falë dijes-mençuris, si bazë e arsimimit. Sot, askush nuk mund të kundërshtoj këtë proces, përkundrazi secili jep më të mirën që di dhe mundet, që e njëjta të jetë sa më e zhvilluar, duke menduar dhe ndërtuar objekte dhe mjete – infrastrukturë sa më të pasur, më funksionale dhe më bashkëkohore. Shkolla/shkollimi-arsimi/arsimimi është rruga, ndoshta jo e vetme, por më e sigurtë dhe më paqësore e të jetuarit – vlera më sublime e qenies njerëzore, e zbuluar dhe kultivuar nga vetë lloji i tij, për nevoja të veta.

Studentet.mk: Duke pasur parasysh eksperiencen tuaj shumëvjeçare në arsim, mund të
na tregoni si ishte arsimi dikur e si është sot?

Prof. Naser Miftari: Siç thamë më lartë, bazament i shkollimit-arsimimit është dija. Dija është nocion i gjërë dhe gjithëpërfshirës – jofiktiv, i gjallë dhe i ndryshueshëm. Dija evulon! Kjo nënkupton proces të gjatë dhe të pambarueshëm, i cili ka lind, zhvillohet dhe nuk vdes, respektivisht fundi i saj do të ishte fundi i ekzistimit të qenies njeri dhe shoqëri. Si proces i mençurisë – arsimi, nënkupton padyshim, dije të vazhdueshme, por njiherit edhe ndryshim-përshtatje të vazhdueshme, në kohë dhe hapësirë, konform nevojave dhe kërkesave të përditshmëris njerëzore -“nyjës” së lartëshënuar!
Dikur, shkolla-shkollimi/arsimi-arsimimi ishte avangard i çdo inovacioni. Ajo printe në të gjitha segmentet e jetës. Për çdo lajmë apo zbulim-inovacion, thuhej se buron nga shkolla, nga njerëz të arsimuar, pra arsimi llogaritej burim i çdo të mire njerëzore. Gjatë periudhës shkollore-arsimore, rrugëtimi i individit ishte i mirëdefinuar në qëllimet-pritjet dhe arritjet e tij, andaj dhe trajtimi për to ishte i veçantë (ndihmohej moralisht dhe materialisht, kursehej nga angazhimet dhe punët jashtë drejtimit të tij, vlerësohej, respektohej nga rrethi ku jetonte…)! Vërtet çdo gjë dhe çdo kush, kishte vendin e vetë. Përjashtimet ishin më prezente vetëm në momente dhe vende, kur nuk bëje të duhurën sipas detyrës-kompetencës që kishe.
Para fillimvitit shkollor bëheshin të gjitha përgaditjet morale, materiale dhe profesionale, pa mos veçuar asnjërën hallk të zinxhirit që përbën sistemin eduketivo-arsimor, duke filluar nga lartë – MASH, e deri poshtë-nxënësi! Gëzimi më i madh i secilit fëmijë-nxënës ishte blerja e çantës, librave, fletoreve dhe pajisjeve tjera shoqëruese. E njëjta vërehej te secili prindë i cili kishte arritur të siguroj të njëjtat, gjë e cila sot, dita-ditës po humbet!
Planprogramet përgatiteshin në bashkëpunim me organe dhe institucione kompetente arsimore.Të njëjtat shqyrtoheshin ndërmjet kolegëve dhe dorëzoheshin tek shërbimi profesionalë. Për ndryshime eventuale, përmes këshilltarëve pedagogjik, ishim të informuar në kohë, bile parakohe, me shkresë ose në seminare adekuate.
Aktivitete dhe projekte jashtëshkollore me nxënës, realizoheshin konform kërkesave programore, me pëlqim paraprak nga MASH dhe institucionet-drejtorit përkatëse të saj. Organizoheshin mbledhje të të gjitha niveleve dhe strukturave udhëheqëse: aktiv profesionalë, kolegiumi arsimor, këshilli i punëtorëve, këshilli i shkollës…nga të gjitha organet, këshillat zgjedheshin udhëheqësit të cilët kryesonin me mbledhjet, mbanin llogari për mbarëvajtjen e detyrave dhe procesit. Organet shkollore përbëheshin nga të gjithë përfaqësuesit e punësuar duke i përfshirë edhe nxënësit. Drejtorët zgjidheshin nga po këto organe, brenda institucionit shkollë. Nga çdo mbledhje nxirreshin konkluza… mbaheshte procesverbalë me relevancë…Për të mos qenë i keqkuptuar dua të shtojë se “pa marë parasysh sistemi politik, procesi eduk.-arsimor duhet të punoj parreshtur, pa asfarë dilemash dhe thash e themeve evntuale…ti ngjasoj punës së orës, me zhurmën e tik-takut, sepse vetëm asisoji paraqet proces-diç që punon dhe nuk ndalon!
Paraprakisht çdo gjë shtrohet në tryezë, diskutohet dhe përgatitet në nivele institicionale dhe profesionale nga ekspertë të fushës gjegjëse dhe fillon puna. Mund të ndodhë ndonjë ndryshim, por jo të vihet në pikëpyetje i tërë sistemi. Andaj preferohet dhe duhet bërë praktikë më shumë opsione-veprim alternativ!
Sot, çdo gjë është më ndryshe. Hierarkia institucionale nuk është në nivel funksionimi të duhur dhe konform mundësive. Sot, kur bota hapëron me plane interplanetare, me planprograme dhe metodologji tërësisht të sofistikuara, sistemi arsimor duhet të ndryshoj sa më parë në të gjitha sferat e saj edhe përkundër lëvizjeve dhe arritjeve, ecjet tona janë të ngadalshme. Në shumë pika vërehen qasje joserioze dhe neglizhencë institucionale. Ka përmirësime falë arritjeve dhe avansimit të Teknlogjisë Informatike Kompjuterike, interneti dhe digjitalizimi në përgjithësi, por këto duhet trajtuar si resurse, ajo që duhet ndryshuar është qasja dhe politikat arsimore bazuar në shkencë dhe ekspertizë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ndryshojmë në hap me të tjerët.
Si e tillë është jotoleruese të eksperimentohet me persona dhe projekte joadekuate, për hir të interesave personale apo partiake. Arsimi nuk është proces afatshkurtë. Arsimi është i pafundë! Arsimi është vetë jeta e individit – shoqërisë. Fundi-shkatërimi i arsimit, do të thotë zhdukje e popullit – civilizimit.   

Studentet.mk: A ekziston sot në Botë ndonjë popull i varfër që ka sistem të mirëfilltë të arsimit?

Prof. Naser Miftari: Një pyetje më se interesante. Vështirë se mund të gjejmë në botë “popullë të varfër dhe sistem të mirëfilltë arsimor”. Edhe sikur të më thoshte dikush një lajmë të tillë, nuk do e merja si lajm të besueshëm e aq më pak realë!

Studentet.mk: A mendoni që duhet të ndyshohen kurrikulat tona nëpër shkolla? Po këto ekzistuese a kanë kaluar procesin e testimit?

Prof. Naser Miftari: Dua të përgjigjem sa më shkurtë dhe sa më qart që ështër e mundur.
E para, a mendoni se duhet ndryshuar kurrikula? -Po, tani dhe menjëherë!
Po këto ekzistuese a kanë kaluar procesin e testimit? Po, janë testuar, por nuk kanë kaluar testin. Mësimdhënia dhe mësimnxënia jonë, është rradhitur e fundit në ranglistën botërore!

Intervista është realizuar nga:
Studentet.mk

Comments are closed.