Funksioni semantik e stilistik i ndajshtimeve të veçuara (pjesa e parë)

366

Për sa i përket funksionit, ndajshtimet e veçuara u ngjajnë përcaktorëve të veçuar. Ndajshtimet e veçuara ose japin në mënyrë të spikatur një karakteristikë të një personi a sendi, ose saktësojnë kuptimin e një gjymtyre tjetër të fjalisë.

Dallohen tri grupe semantike e stilistike të ndajshtimeve të veçuara:

a) ndajshtime të veçuara që shprehin marrëdhënie përcaktore, në formën e një të dhënë të mbishtuar;

b) ndajshtime të veçuara që funksionojnë si përcaktorë sqarues;

c) ndajshtime të veçuara që shprehin marrëdhënie përcaktore të gërshetuara me marrëdhënie rrethanore.

Ndajshtimet e grupit të parë japin karakteristika të mbishtuara. Këto shprehen me një emër të pashquar dhe funksionalisht afrojnë me fjalitë e varura përcaktore:

U shpall pavarësia dhe u ngrit flamuri i kuq me shkabën dykrenare, simbol i lirisë, i sovranitetit të Atdheut dhe i unitetit të të gjithë shqiptarëve.

Në grupin e dytë bëjnë pjesë ndajshtimet që sqarojnë një gjymtyrë të fjalisë. Janë ndajshtimet që veçohen më shpesh. Zakonisht shprehen me emra të shquar dhe, përgjithësisht, janë të këmbyeshme me fjalët e përcaktuara. Këto ndajshtime, duke qëndruar në të njëjtin plan me gjymtyrën e përcaktuar, shprehin identitet me të, pra këtu shënohet i njëjti njeri a send me fjalë të ndryshme:

Më këmbë mbeti Drita, sekretarja e drejtorit. Ai do të luajë në këtë film rolin e mullixhiut, Pilos. Piktori shqiptar më i çmuar ndër të vjetrit, Onufri, ishte nga Berati. Niku, djali ynë më i vogël, mbeti në shtëpi.

Përgatiti dhe përshtati:

WWW.STUDENTËT.MK

Comments are closed.