FRYTET E BAMIRËSISË NË DYNJA E AHIRET

587

Për sa i përket fryteve të bamirësisë në dynja e ahiret, ato janë të shumta saqë nuk mund të numërohen, por do të mjaftohem me përmendjen e disa prej tyre, me shpresë se All-llahu do të na bëjë edhe neve prej bamirësve.

 

– Bamirësia është matës i vërtetë me të cilin matet sasia e suksesit të njeriut në këtë jetë. E vërtetë është fjala e urtë: Vlera e njeriut është sa bamirësia e tij… Prandaj sa më shumë të shtojë nga bamirësia, aq më shumë i shtohet vlera dhe pozita.

– Bamirësit janë njerëzit më të afërt te njerëzit e tjerë që i kanë përreth. Kjo duke e ditur se njeriu është peng i bamirësisë. Prandaj sheh se njerëzit i duan ata që u bëjnë mirë atyre, iu sillen përreth, madje u dalin në mbrojtje kur ata ndodhen në rrezik.

– Bamirësia bën që pjesëtarët e shoqërisë të jenë të bashkuar dhe zemrat e tyre të jenë të lidhura mes vete, madje dashuria dhe uniteti përhapet mes tyre, dhe kjo është prej faktorëve më të mëdhenj të përparimit në çdo shoqëri.

– Bamirësia është mjet i ngritjes dhe përparimit në çdo shoqëri. Nëse drejtësia është mjet për ruajtjen e llojit njerëzor, atëherë bamirësia është mjet i ngritjes dhe përparimit të tyrе sepse ajo çon deri në forcimin e lidhjeve dhe ndihmës së bollshme.

– Bamirësia është mjet për arritjen e bereqetit në jetë, pasuri dhe familje.

– Bamirësia është mjet për të ndier frikën ndaj All-llahut të Madhërishëm dhe për të kërkuar mëshirën e Tij.

– Bamirësia është mjet për të nxjerrë gjërat e këqija nga njerëzit, si brengat, keqkuptimet, paragjykimet, e kështu me radhë.

– Bamirësia është mjet që i ndihmon njeriut për largimin e vetëpëlqimit, duke e ditur se bamirësia ngërthen në vete nijetin e sinqertë.

– Bamirësia është rrugë e cila njeriut ia lehtëson rrugën e diturisë dhe i hap atij burime të urtësisë.

– Kthimi i së keqes me bamirësi, si njëra prej formave të bamirësisë, e largon armiqësinë mes njerëzve dhe e zëvendëson atë me miqësi të dashur dhe dashuri të mëshirshme dhe me të shuhen zjarret e fitneve dhe përfundojnë grindjet. Ndërsa kthimi i së keqes me të keqe çon deri te prishja e lidhjeve, ndezja e zjarreve të fitnes, shtimi i grindjeve, llojin njerëzor e çon në buzë të greminës së prapambeturisë dhe ekzistencën e tij e çon në rrezik të shuarjes.[1]

All-llahu i Madhërishëm thotë: “E kush është në rrugë më të mirë se ai që thërret në rrugën e All-llahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: “Unë jam prej myslimanëve?” Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt.”[2]

Nëse bindjes së sinqertë në All-llahun ia bashkëngjesim bamirësinë, atëherë kjo shpie deri në kapjen për lidhjen më të fortë me anë të cë cilës shpresohet hairi i dynjasë e i ahiretit. Kjo do të thotë se bamirësi kujdeset për vete që të kapet për lidhjen më fortë të litarit më të fortë, i cili është i sigurtë nga këputja.

All-llahu i Madhërishëm thotë: “E kush ia dorëzon veten All-llahut duke qenë edhe punëmirë, ai është kapur për lidhjen më të sigurt dhe vetëm tek All-llahu është përfundimi i çështjeve.”[3]

[1] Shkëputur nga libri Nedretun-Neim (2/91).
[2] Kaptina Fussilet, ajetet 33-34.
[3] Kaptina Lukman, ajeti 22.

 

STUDENTET.MK

Comments are closed.