Elementet tradicionale të dekorimit Islam (pjesa parë)

209

Arti islam dhe Arkitektura Islame është krijuar në bazë të harmonive thelbësore të natyrës së bashku me kuptime të ndryshme simbolike dhe teori të përmasave të përsosura. Modelet e përsëritura janë simbol i idesë së pafund dhe pa kohë, pafundësisht të zgjerueshme; simbol nga dimensioni i brendshëm i Islamit mbi rëndësinë e unitetit.  Në varësi të kësaj artistët musliman zhvilluan disa teknika dhe elemente dekorimi të cilat pasqyronin mesazhin dhe frymën universal të atij besimi. Qëllimi i cdo elementi estetik ishte në shërbim të lidhjes midis Krijusit, mjedisit dhe Njeriut. Ndër elementet dhe format tradicionale të dekorimit dhe zbukurimit Islam mund të listojmë: Gjeometrinë, Kaligrafinë, floralet (motivet bimore), arabesk-et, mukarnas-et, figurat, drita dhe uji.

GJEOMETRIA

Gjeometria dhe proporcioni ishte karakteristikë e dukshme e arteve Islame. Ata janë përdorur që në fillimet e tij për të krijuar forma unike gjeometrike dhe kanë shërbyer si strukturë themelore e procesit të dizajnit Islam. Hasan Fathy thotë se  shkenca e gjeometrisë së “shenjtë” ka si synim krijimin e një hapësire në harmoni të plotë fizike/  mjedisore që pasqyron konceptin Hyjnor të harmonisë së njerëzimit dhe është një mjet për të shfaqur mënyrën e jetesës sipas  besimit Hyjnor, perceptimin e botës dhe mendimin racional të jetës. Vlen të theksohet fakti se aplikimi i gjeometrisë në artin islam ishte një zgjedhje e përkryer, duke patur parasysh se në Islam pikturimi e figurave jetësore, kafshëve, njërëzve apo dhe skulpturat e qënieve të gjalla janë të ndaluara, ndaj luajtja dhe manipulimi i figurave  gjeometrike në proporcionet e duhura duke krijuar mozaike aq abstrakte dhe të pafundtë ishte risi dhe kreative. Aplikimi i tyre zinte vend në fasadën e jashtme, në hapësirat e brendshme, në mashrabiyyat, në dritare, zbukurim tavani dhe muri, në shtrimin e dyshemesë, në veshjen e minareve, në portat hyrëse, (iuanet) si dhe në arredimin e brendshëm të mobiljeve; qoftë rafteve, apo minberit.  Proporcionet e aplikuara në formimin e formave gjeometrikë në vetvete kishte vetëdijen e projektuesve dhe ndërtueve mbi ligjet hapësinore dhe raportet e tyre, duke krijuar mjeshtërisht vlera estetike. Por përtej kënaqësisë së syrit dhe të bukurës, format gjeometrike të ftojnë në të kuptuarit të lidhjes “univers-njeri-natyrë. A nuk gjenden format gjeometrike në natyrë, tek njeriu, tek universi? Nëse shohim përreth do shohim se cdo qelizë e egzistencës është ndërtuar mbi kalkulimet aritmetike apo modeleve gjeometrike, qoftë kjo; molekulat, atomet, qelizat,  njeriu, natyra, hojëzat e mjaltit, kristalet e dëborës të cilat  ndonëse vijnë në forma dhe madhësi të ndryshme gjashtëkëndëshi është mbizotërues, trungjet e pemëve përbëhen nga unaza në formë rrethi të përkryer, apo forma rrumbullake e hënës në ditën e 15-të të muajit,  apo vetë kozmosi. Harmonia matematikore e universit  dhe proporcioni mesatar i artë mund të shihet edhe në proporcionet e planetëve në sistemin tonë diellor.

”Artistët musliman kishin për qëllim që me stilizimin dhe krijimin e paternit (modelit) të pafundtë, të ngacmojnë skajet e mendjes njerëzore.  Kështu përdoruesi i një hapësire të caktuar nuk është thjesht një vëzhgues i thjeshtë i disa formave, por ai noton nëpër lidhjen e fortë të tij me kozmosin dhe natyrën, duke lejuar mendjen të udhëtojë në pafundësi dhe të këtë mundësi të meditojë mbi madhështinë e Krijuesit. 

KALIGRAFIA

Kaligrafia konsiderohet si një nga elementet më të rëndësishme dhe thelbësore të arteve islamike. Pothuajse të gjitha ndërtesat kanë një lloj mbishkrimi në sipërfaqe në gur, llaç, mermer, mozaik ose pikturë. Nga Spanja në Kinë, arkitektura dhe kaligrafia islamike janë të ndërthurura në mënyrë të pashmangshme. Xhamitë, teqet, mauzoleumet, bibliotekat, madje edhe banjot apo vendet e tregut mbajnë kryevepra të kaligrafisë.  Është një element I cili ka qenë present si në kohët e hershme po ashtu edhe sot në kohët moderne. Nëpërmjet Kaligrafisë përpiqej qe arti të ndërthurte sëbashku kuptimin shpirtëror dhe bukurinë estetike. Pra nëpërmjet fjalës dhe shkronjave përcohej një mesazh, njëkohësisht ajo fjalë ishte përdurur nga artisti si mjet dhe element zbukurues i fasadës ku është aplikuar.  Mbishkrimi mund të jetë një varg nga Kurani, rreshta poezie, ose emra dhe data. Në shumë raste ajo qëndron e vetme, në raste tjera bëhet pjesë e një tërësie kompozimi me floralet në relieve të ndryshme. “Shenjtëria” e saj qendronte në faktin se më së pari ajo ishte gjuha e Kuranit. Përgjatë gjithë shekujve kaligrafia evoloi dhe u shfaq në stile e forma të ndryshme si ajo e Kufit, Thuluth, apo Divanit zhvilluar në kohën Osmane,  apo   Kaligrafia pati një sukses jo vetëm në botën arabe por edhe më gjerë. Për shkak të elegances dhe vlerave estetike në fillim të shekullit të 14-të, disa piktura italiane paraqesin një skenar delikat, të rrjedhshëm që në shikim të parë duket se është arabisht.

Shkruan: Brunilda Basha, ndjek doktoraturën për arkitekturë në Universitetin “Yildiz Teknik”, Turqi.

STUDENTET.MK

Comments are closed.