Drejtimi logjik gramatikor

856

Drejtimi logjik gramatikor zotëroi në mënyrë absolute deri në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Në variante të reja, ku më pak, ku më shumë të ndryshuara, ai vijoi edhe më pas, nëpërmjet një numri të mirë studiuesish, në forma të përtëritur, ai përfaqësohet herë-herë edhe në teorinë sintaksore të sotme. Në formën e tij më të skajshme, ai u mbështet në paralelizmin e plotë të logjikës e të gramatikës, i vështroi kategoritë gramatikore, sidomos sintaksoret, si pasqyrim i drejtpërdrejtë, herë-herë bile edhe si produkt, i kategorive logjike, i njëjtësoi shpeshherë me ato. Eshtë shfaqur në forma të ndryshme, që shkojnë nga një logjicizëm absolut dhe i ngurtë në vështrime më elastike e më të gjera.

-Përfaqësuesit më tipikë të këtij drejtimi e njëjtësuan gjuhën me mendimin, e vështruan atë si shprehje të plotë e të përpiktë të kategorive dhe të raporteve logjike, si diçka të përhershme, të pandryshueshme. Faktet dhe ndërtimet aq të larmishme sintaksore u futën në skemat e përgjithshme të logjikës formale, s’u mor fare parasysh ose u nënvlerësua forma e tyre. U vu shenja e barazisë midis gjykimit logjik dhe njësisë sintaksore themelore, fjalisë. Kjo u quajt një gjykim i shprehur me fjalë, dhe u fol për një skemë universale të saj. Nëpërmjet një skematizmi thjeshtësues të tepruar, u lanë mënjanë ndryshimet cilësore të kategorive gramatikore të afërta nga kuptimi, s’u morën parasysh ngjyrimet dalluese, u vështruan pak ose aspak veçoritë e mënyrës së shprehjes së tyre. Duke mos i kushtuar vëmendjen e duhur materialit real gjuhësor dhe vëzhgimit të tij, nuk u pasqyruan ose u pasqyruan në një masë të pakënaqshme veçoritë e gjuhëve kombëtare u paraqit në një mënyrë shumë skematike struktura sintaksore e tyre.

-I mbështetur po në përmbajtjen, por duke e vështruar këtë nga një prizëm tjetër, drejtimi psikologjik i lidhi kategoritë gramatikbre, veçanërisht sintaksore, me përfytyrimet psikike. Ai u përfaqësua mjaft në gjuhësinë e fundit të shekullit XIX dhe të gjysmës së parë të shekullit XX. Përkrahësit e tij treguan paqëndrueshmërinë e bazave dhe të mjaft tezave të drejtimit logjicist dhe e pasuruan vështrimin dhe analizën e fakteve sintaksore. Një vëmendje e veçantë iu kushtua funksionit ekspresiv të gjuhës, anëve ngashërimore të saj, u vu zakonisht në qendër të vëmendjes realizimi individual gjuhësor. Me gjithë disa vështrime të reja që solli, edhe ky drejtim, duke u nisur nga pikëpamje filozofike të gabuara, në themel idealiste, që në thelb mohonin mundësinë e pasqyrimit të saktë të realitetit objektiv nga mendimi e gjuha dhe nuk merrnin parasysh karakterin shoqëror të gjuhës, nuk e vendosi teorinë sintaksore mbi parime të drejta e të qëndrueshme.

Burimi: “Gramatika e gjuhës shqipe 2”

Comments are closed.