DHUNTIA E DURIMIT

788

Jeta çdoherë është me sprova e vështirësi, duke e pasur parasysh se kjo botë është vend i sprovës, dhe rehatia e plotë nuk gjindet kund tjetër përveçse në xhennetin e të Gjithëmëshirshmit e të Madhërishmit.

All-llahu i Madhërishëm thotë: “Elif, Lam, Mim. A menduan njerëzit të thonë: “Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?” Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, ashtu që All-llahu gjithqysh do t’i dallojë ata që e thanë të vërtetën e do t’i dallojë edhe gënjeshtarët. A mos menduan ata që bëjnë vepra të këqija (krime) se do të na shpëtojnë (t’i ikin dënimeve)? Sa i shëmtuar është gjykimi i tyre!”[1]

Ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kujt All-llahu ia dëshiron të mirën, e godet me sprova.”[2]

Prandaj biri im, medoemos duhet të dish se rruga e xhennetit është vetë durimi.

Andaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Xhenneti është rrethuar me vështirësi, ndërsa xhehennemi është rrethuar me epshe.”[3]

E dihet se vështirësive duhet përballur me durim.

Thënë shkurt, sprova është një ligj (i All-llahut) i cili nyk ndryshon dhe nuk zëvendësohet.

All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, po ti jepju myzhde durimtarëve. Të cilët, kur i godet ndonjë e pakëndshme thonë: “Ne jemi të All-llahut dhe ne vetëm tek Ai kthehemi”! Të tillët janë që te Zoti i tyre kanë bekime e mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit në rrugën e drejtë.”[4]

All-llahu i Madhërishëm ka bërë që shpërblimi i atyre që bëjnë durim në këtë botë të jetë i pakufizuar. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ndërsa të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!”[5]

Ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Askujt nuk i është dhënë diçka më e mirë dhe më e madhe se durimi.”[6]

Prandaj, kur t’i humbim të dashurit apo pasurinë, ose kur All-llahu të na sprovojë me sëmundje, neve na duhet që të jemi durimtarë dhe të shpresojmë në shpërblimin e All-llahut, që kështu të arrijmë shpërblimin e durimtarëve të cilët janë të pajtuar me caktimin e All-llahut të Madhërishëm.

 

[1] Kaptina El-Ankebut, ajetet 1-4.
[2] Sahih, shënon Buhariu (5645).
[3] Sahih, shënon Buhariu (2823).
[4] Kaptina El-Bekare, ajetet 155-157.
[5] Kaptina Ez-Zumer, ajeti 10.
[6] Muttefekun alejhi, shënojnë  Buhariu (1469) dhe Muslimi (1053).

 

Përmblodhi dhe përshtati :

STUDENTET.MK

Comments are closed.