Aspekte të konzistencës së gjuhës dhe të tekstit letrar

1,459

Me zhvillimin dhe përsosjen e letërsisë artistike me tema të llojllojshme nga realiteti ynë gjithnjë e më tepër lind interesimi për studimin e elementeve apo mjeteve gjuhësore që përdorin shkrimtarët në veprat e tyre letrare. Shtrohet pyetja: Cilat janë këto elemente gjuhësore?

Këtu, në rradhë të parë, do të veçonim përdorimin e leksikut dialektor (dialektizmave), shprehjet dhe frazeologjizmat popullore etj. Në krijimtarinë letrare të shkrimtarëve tanë roli dhe funksioni i dialektizmave, leksikut dhe shprehjeve frazeologjike popullore gjithnjë e më tepër po zë vendin e duhur në strukturën e tekstit letrar. Ky është një proces mjaft i rëndësishëm jo vetëm për formimin dhe ngritjen kulturore të shkrimtarit, por edhe për pasurimin e fondit të fjalorit të gjuhës letrare, në kohën kur gjuha shqipe arriti një shkallë të zhvillimit të lartë, e cila vazhdimisht dhe në mënyrë të pandërprerë pasurohet nga thesari i çmueshëm i gjuhës popullore.

Analiza gjuhësore e veprës letrare nuk është e lehtë. Para studiuesit dalin shumë detyra dhe çështje të ndërlikuara, duke u nisur nga fakti se vetë gjuha është një sistem i ndërlikuar, por me mundësi dhe me mënyra të mëdha shprehëse. Kritika letrare dhe ajo gjuhësore me kohë ka theksuar rëndësinë, rolin dhe funksionin e gjuhës në veprat letrare si strukturë me funksion stilistik dhe estetik. Që këtu del edhe kompleksiteti i veprës letrare dhe i tekstit letrar, nevoja për një njohje më të thellë të natyrës e të shtresave të tij dhe të interpretimit sa më adekuat si pasojë e njohjes. Kompleksiteti i tekstit letrar mund të vërehet nga struktura gjuhësore specifike, e cila sado që përkon me ato të teksteve të tjera letrare, prapëseprapë është e veçantë dhe në procesin e realizimit ndryshon (sikur të folurit në kuadrin e gjuhës).

Vetë struktura gjuhësore e veprës letrare është boshti kryesor për analizë si për gjuhëtarët, ashtu edhe për letrarët, sepse ç’është thënë në të është realizuar përmes gjuhës dhe me gjuhën. Struktura e brendshme e veprës letrare, realiteti, motivi, përmbajtja është e realizuar me fjalë, togje fjalësh (konstrukte sintagmatike), fjalive, përmes të cilave e kuptojmë dhe përjetojmë realitetin e brendshëm të veprës, njëkohësisht të shkrimtarit.

Gjatë analizës së veprës letrare nga aspekti gjuhësor parashtrohet nevoja që çdoherë të niset nga aspekti teorik i fjalësë, si dukuri shoqërore e ndërlikuar. Fjala është njësia themelore e gjuhës dhe elementi kryesor që depërton thellë në shpirtin e njeriut. Prandaj, sa do të jetë lexuesi i lidhur ngusht me veprën letrare, sa do të kuptojë syzhenë dhe idenë e saj, sa do të mësojë e pasurojnë përvojën e tij jetësore, varet kryesisht nga momenti se sa do të arrijë shkrimtari të gjejë mjete shprehëse gjuhësore që do të përdorë nga mjeshtëria dhe shkathtësia e thurrjes dhe e ndërtimit të veprës, përdorimit të fjalëve të rralla, leksikut dialektor, shprehjeve frazeologjike etj.

Vepra letrare nuk ngërthen vetëm syzhenë, protagonistët e personazhet, idenë, ndërthurjen e ngjarjeve të ndryshme, tablo pamjesh, situatash e gjendjesh, veçori karakteristike fizike e psikologjike të personazheve, çaste dhembjeje, hidhërimi e lumturie, por në vete ngërthen edhe një thesar mjaft të çmueshëm- gjuhën. Krijimi letrar duhet të vlerësohet edhe nga aspekti gjuhësor, në kuptimin më të gjerë të fjalës, sa është e pasur, sa është e kuptueshme dhe tërheqëse për lexuesin, sa është individualizuar, sa është e tipizuar, sa është e zonja të ngjallë interesim te lexuesi, sa arrin të zgjojë kërshërinë te lexuesit. Përdorimi i tyre varet nga koha, vendi dhe situata në përshtatje me fjalën e autorit dhe të personazheve. Sipas zgjedhjes së fjalëve të shkrimtarit, ato mund të funksionojnë ose të mos funksionojnë, mund të vijnë në shprehje disa mjete fjalëformuese jonormative, leksema e shprehjeve frazeologjike që nuk përshtaten me normën letrare të gjuhës shqipe. Në raste të tilla lind nevoja që ligjshmëria objektive të kërkohet në përmbajtjen e fjalës, me që vetë raporti gjuhë – fjalë – kohë – vend – situatë jep mundësinë për analizën e leksikut dialektor dhe të shprehjeve frazeologjike. Lidhur me këtë çështje është shprehur bindshëm një teoricient i shquar i letërsisë shqipe: Vepra letrare realizohet nëpërmjet gjuhës dhe se ajo ekziston vetëm në gjuhë”. Gjuha është materiali me të cilin krijuesi e ndërton, thurr veprën e tij. Përdorimi I dialektizmave në disa vepra letrare, që si mjete gjuhësore sa i takon veprës artistike po aq edhe vetë emocioneve që i kanë shkaktuar të lindin dhe të shprehin emocionalitet duhet parë jo si mjet thjesht gjuhësor, por edhe më gjerë si mjet me karakter psikologjik, filozofik, artistik, estetik etj.

Gjatë punës së letrare dhe zgjedhjes së gjuhës, shkrimtarët me mjeshtri të madhe i vënë në përdorim dialektizmat dhe mjetet tjera gjuhësore me qëllim që të zgjojnë interes të posaçëm te lexuesit, duke shprehur gjithë funksionin ideo-tematik dhe artistiko-estetik. Disa autorë në veprat e tyre përpiqen të lënë përshtypje gjuhësore origjinale, duke mos u kufizuar në margjinat dhe kufijtë e gjuhës letrare, e cila do t’i kufizonte shkrimtarët tani lirisht dalin nga këta kufij, duke vjelë material nga gjuha popullore, nga dialektet e saj, të folmet etj.

Një përpjekje e tillë shpie kah pasurimi i gjuhës së veprës letrare. Gjuha ka lidhje të ngushtë me botën psikologjike të autorit. Me gjuhën e saj mund të përcaktojmë edhe vlerën artistike të veprës. Nuk mund të flitet për vepër me kualitete të larta artistike nëse nuk është realizuar mirë struktura gjuhësore si formë kryesore e shprehjes së artit në letërsi. Shkrimtari duhet të shfrytëzojë pasurinë folklorike, që është e pasur me elemente të shumta figurative e me mjete të tjera që i japin gjallëri veprës. Lexuesi është i etshëm që në një vepër letrare të gjejë sa më tepër simbole, figura, trope e mjete të tjera stilistike, leksik e frazeologji të pasur.

Përmblodhi dhe përshtati:

www.studentet.mk

Comments are closed.