Kultura e të shprehurit me gojë dhe me shkrim

2,340

Nëse e shfletojmë Programin e gjuhës dhe të letërsisë shqipe për të gjitha profesionet dhe për drejtimin kulturologjik-arsimor, veçanërisht të ushtrimeve me gojë dhe me shkrim, menjëherë na bie në sy puna ambicioze dhe serioze në zgjedhjen e temave, formave dhe metodave që përdoren për realizimin e tyre. Në planet dhe programet mësimore për veprimtari edukative-arsimore në shkollimin e mesëm, gjuhë dhe letërsi shqipe, vend të rëndësishëm zënë edhe orët e ushtrimeve të të shprehurit me gojë dhe me shkrim. Kjo është një lëmi tejet e rëndësishme që nxënësit ta përvetësojnë gjuhën letrare shqipe. Orët mësimore të ushtrimeve të të shprehurit me gojë dhe me shkrim në shkollat e mesme kanë rëndësi të madhe, sepse nxënësit përmes tyre aftësohen për punë të pavarur, për mbledhjen, radhitjen dhe shfrytëzimin e materialit. Me një fjalë, vjen në shprehje puna dhe angazhimi i nxënësve për punë të pavarur si dhe për parapërgatitjen e nxënësit për një kulturë më të gjerë gjuhësore jo vetëm nga lënda e gjuhësisë, por edhe nga lëndët tjera shoqërore dhe natyrore. Gjithashtu, në programet dhe tekstet mësimore është bërë një punë e mirë, ngase ato janë hartuar në bazë të shëndoshë ideologjike, shkencore e profesionale dhe pasqyrojnë arritje më të reja të lëndës dhe gjuhës dhe letërsisë shqipe, ndërsa në shkollat e mesme vërehen përpjekjet për ta ngritur nivelin shkencor dhe metodik të orës së mësimit, që janë paraparë për ushtrime në lëminë e kulturës së të shprehurit me gojë dhe me shkrim.

Qëllimi i këtij punimi është, që në mënyrë të veçantë, t’i veçojmë disa nga përmbajtjet, format dhe metodat në lëmin e kulturës së të shprehurit me gojë dhe me shkrim, që janë paraparë në program dhe si ato të realizohen në praktikë.

Metodicientët, vazhdimisht, porosisin që te nxënësit duhet ta zhvillojmë ndjenjën dhe dashurinë për bukurinë e gjuhës sonë, ngase ajo është një ndër mjetet më të rëndësishme për fitimin e diturive dhe se niveli kulturor i njeriut gjen mbështetje të fortë në të. Kërkesat e programit shkollor nuk e ndajnë letërsinë nga gjuha dhe as gjuhën nga letërsinë. Në shkollën e mesme këto dy fusha përbëjnë një lëndë mësimore – gjuhën dhe letërsinë shqipe. Programi shkollor ka shkruar kërkesa të atilla që së bashku me krijimtarinë letrare të gërshetohen edhe elementet gjuhësore.

Gjuha letrare shqipe ka formën të shkruar dhe të folur. Siç dihet, arsimtari i lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe ka barrën më të madhe që nxënësit sa më lehtë ta përvetësojnë gjuhën letrare shqipe. Ushtrimet me gojë dhe me shkrim nuk duhet të jenë të njëanshme me qëllim që t’i aftësojnë nxënësit për t’u shprehur, por përmes tyre duhet të vijë në shprehje aftësia dhe kultura e gjithanshme në të gjitha sferat e jetës. Kështu, ushtrimet me gojë dhe me shkrim ndihmojnë në formimin e personalitetit të tyre. Për t’i realizuar me sukses të gjitha detyrat që janë paraparë për orët e ushtrimeve me gojë dhe me shkrim, duhet t’i kemi parasysh edhe disa elemente. Ato janë: -njohja e materialit për të cilin flitet ose shkruhet;

-fjalori i pasur;

-zotërimi i gjuhës letrare shqipe dhe qëndrimi i drejt ndaj dialekteve dhe të folmeve popullore, regjionale, lokale etj.

-të hartohet plani;

-të artikulohen drejt tingujt, fjalët, etj;

-të shkruhen drejt fjalët, togfjalëshat dhe fjalitë;

-të veçohet e rëndësishmja nga e parëndësishmja dhe

-të përmirësohen ( korrigjohen ) gabimet e nxënësve në fund të rrëfimit (kallëzimit të tyre ).

Të gjitha këto do të realizohen përmes dëgjimit dhe shkrimit të emisioneve në radio e televizion, zgjedhjes së mirë të një pjese teatrale (film); leximit (pasurohet fjalori dhe përsoset stili i nxënësit); recitimit (lexim i rrjedhshëm e i bukur që vjen pas analizës teorike-letrare dhe gjuhësore të poezisë së zgjedhur apo të tekstit letrar). Të gjitha llojet e ushtrimeve që janë paraparë në program, arsimtari duhet t’i realizojë gjatë vitit shkollor. Për nxënësit vështirësi paraqet njësimi i normës fonetike – fonologjike e gramatikore e më pak në sferën e leksikut dhe të fjalëformimit. Kuptohet subjekti qendror, për realizimin e ushtrimeve me gojë dhe me shkrim është arsimtari, i cili udhëheq punën në klasë dhe jashtë saj. Arsimtari është faktori kryesor për zbatimin praktik dhe teorik të kulturës së gjuhës së folur dhe të shkruar. Ai, si të thuash, duhet të bashkojë në një tërësi të vetme dhe unike  “gjuhën” e tij dhe të nxënësve me “gjuhën” e tekstit. Për t’i realizuar të gjitha këto detyra arsimtari i lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe duhet të ketë përkrahjen dhe ndihmën e arsimtarëve të lëndëve të tjera, të vetë familjes së nxënësit, shoqërisë dhe rrethit ku jeton etj.

Orët e ushtrimeve të të shprehurit me gojë dhe me shkrim duhet të jenë të planifikuar dhe të organizuara mirë nga arsimtari i lëndës. Ato nuk duhet të jenë orë të mbajtura në mënyrë stihike, pa koncept, por, para së gjithash, duhet t’u përgjigjen parimeve, normave dhe formave pedagogjiko-didaktike, të kenë qëllimin e caktuar ideor, edukativ dhe arsimor. Temat e ushtrimeve me gojë dhe me shkrim duhet t’u përgjigjen moshës dhe psikologjisë së nxënësve, me qëllim që ata të aftësohen, të flasin e të shkruajnë bukur, pastër, rrjedhshëm dhe pa gabime. Vetëm me një punë serioze dhe këmbëngulëse arsimtari do të mund të trasoj një rrugë të drejtë për ngritjen e kulturës gjuhësore të nxënësve. Arsimtari, gjatë ushtrimeve me gojë dhe me shkrim, do të përdorë metodën shkencore (analizën dhe sintezën, induksionin dhe deduksionin) dhe metodën mësimore, individuale dhe frontale ( fjala e gjallë, dialogu, përkatësisht metoda  bashkëbiseduese dhe metoda e tekstit).

Ushtrimet me shkrim kanë një radhitje normative siç janë: hyrja, mbarështrimi (thurja) dhe përfundimi. Arsimtari, veçanërisht duhet të bëjë zgjedhjen e atyre copave letrare për lexim dhe ushtrim që janë paraparë në programin e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Përmes shembujve të zgjedhur, fragmenteve ose citateve nga letërsia artistike shqipe ballkanike dhe botërore, do t’u mundësojë nxënësve që të njihen së afërmi me vlerat artistike, estetike dhe stilistike të letërsisë dhe kulturave të ndryshme.

Përmblodhi dhe përshtati:

STUDENTET.MK

Comments are closed.